E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi; Qëndronte në hotele luksoze pa paguar, arrestohet nga policia



Një shqiptaro-amerikan nga Gjilani i Kosovës dhe me banim në Nju Jork kishte gjetur një mënyrë të thjeshtë për të qëndruar në hotelet më luksoze të kryeqytetit dhe të mos harxhonte asnjë lekë. Ai rrinte disa ditë në dhomë, i rrethuar nga të gjitha komoditetet dhe më pas zhdukej pa lënë asnjë “gjurmë”. Ndërkohë që nga ana tjetër, kishte një shifër të lartë për të paguar, pasi, sipas policisë, referuar faturave të paraqitura nga të tre hotelet, dëmi që u kishte shkaktuar këtyre bizneseve me anë të këtij “rrengu” ishte rreth 3 milionë e 300 mijë lekëve të vjetra. “Loja” e tij nuk funksionoi shumë gjatë, pasi ai u ndalua ditën e djeshme, ndërsa ishte duke kryer të njëjtën skemë edhe tek një tjetër hotel. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar e arrestuan ditën e djeshme shtetasin Admir Hoonaertin (Saliun), 34 vjeç, lindur në Gjilan të Kosovë dhe banues në Nju Jork. Sipas policisë, ndalimi i tij u bë pasi ndaj këtij shtetasi kanë bërë kallëzim përfaqësues të hoteleve “Rogner”, “Grand” dhe “Diplomat”, sipas të cilëve, ky shtetas ka përfituar shërbim hotelerie dhe është larguar duke mos paguar. Shqiptaro-amerikani për disa ditë kishte përfituar shërbimet tek hotel “Rogner”, ndërkohë që shuma që duhej të paguante ishte rreth 155.786 lekë. Më pas, “preja” e tij e radhës ishte hotel “Grand”, ku pasi ia kaloi më së miri, u largua pa paguar një shumë prej 1792.81 eurosh. Sapo kanë konstatuar faktin, drejtuesit e këtyre dy hoteleve i janë drejtuar policisë dhe kanë bërë denoncime në lidhje me mashtrimin që u kishte bërë klienti i tyre 34-vjeçar. Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar nisën nga puna dhe arritën që ta ndalonin 34-vjeçarin në një tjetër hotel. Shqiptaro-amerikani dukej se do t’ia hidhte edhe kësaj radhe dhe skema e tij e mashtrimit po funksiononte më së miri, nëse punonjësit e policisë nuk do ta vinin atë në pranga. Në krahasim me dy hotelet e tjera, këtë radhë dëmi ishte më i vogël, rreth 320 euro. I arrestuari është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Skema e 34-vjeçarit me banim në Nju Jork duket se përfundoi me zbulimin e mashtrimit dhe me ndalimin e tij, ndërsa ai tani do të duhet të përballet me akuzën e “vjedhjes me anë të mashtrimit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›