Zgjedhjet, Olldashi: Një ekuacion që nxjerr PD-në fituese
Olldashi, thirrje për mazhorancë solide
“Harmonizim marrëdhëniesh mes brezave”
Ministri i Transporteve dhe anëtari i kryesisë së PD-së, Sokol Olldashi, është i bindur se zgjedhjet e reja të 28 qershorit do të jenë një ekuacion që nxjerrin fituese sërish të djathtën. Në prag të këtyre zgjedhjeve, Olldashi bën thirrje për një mazhorancë solide dhe harmonizim të marrëdhënieve mes brezave. Dega e PD-së në Patos festoi dje 18-vjetorin e krijimit, në prani të disa qindra qytetarëve, por edhe themeluesve të saj, të cilët sollën kujtime nga ajo ditë kur në këtë rreth u krijua partia e parë opozitare, pas gati gjysmë shekulli sistem diktatorial. I pranishëm në këtë 18-vjetor ishte dhe anëtari i Kryesisë së PDSH-së, Sokol Olldashi, i cili pasi kujtoi se në 28 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, u shpreh: “Çdo energji jona, çdo potencial politik dhe intelektual duhet të përqendrohet në këto zgjedhje dhe në fitoren e tyre". Ai vlerësoi punën e strukturave të degës së PD-së në Patos, duke nënvizuar: “Jam i bindur se struktura juaj është e pjekur, e fortë dhe i ka të gjitha kapacitetet për të arritur në Patos rezultate shumë të mira dhe më pozitive se më parë". "Kemi dy modele qeverisjeje që ne duhet t'i ballafaqojmë në sytë e njerëzve, atë çfarë kemi ofruar ne në qeverisjen e madhe të vendit dhe çfarë ka ofruar Partia Socialiste për 8 vjet", - tha Olldashi, duke shtuar se duhet të bëjmë dhe një krahasim të dytë atë të modelit të qeverisjes në nivel lokal. Ai u shpreh i bindur se në të dy rastet do të marrim një ekuacion që nxjerr PD-në fituese, sikurse theksoi se “struktura e PD-së në Patos do të kthehet në mazhorancë solide që duhet të qeverisë këtë qytet, si dhe një mazhorancë solide që duhet të qeverisë Shqipërinë për të vazhduar reformat e mëdha që ka nisur". Për z. Olldashi "duhen harmonizuar marrëdhëniet ndërmjet gjithë brezave, themeluesve të partisë, qëndrestarëve të partisë, por edhe të rinjve që kanë hyrë rishtas në PD dhe që kanë kontribute të mëdha". "Në qoftë se ne e kryejmë këtë harmonizim dhe ecim përpara, jam i bindur se në zgjedhjet e 28 qershorit jemi fitues", - tha z. Sokol Olldashi. Një nga themeluesit e PD-së në Patos, Agur Aliaj, kujtoi: "Ishin grupet e ndërmarrjeve të naftës në këtë qytet, që më 26 janar 1991, organizuan një miting madhështor në qendër të qytetit të Patosit, ku po atë ditë krijuan degën e PD-së, partinë e shpresës, e realizimit të ëndrrave dhe dëshirave të tyre të zjarrta për liri, demokraci dhe zhvillim".