Arrestohet prostituta, vidhte klientët pas “shërbimit” të ofruar
Në fillim shkonte me klientët e saj, më pas u vidhte atyre paratë. Megjithatë, mashtrimi i një 44-vjeçareje dhe dy bashkëpunëtorëve të saj, nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është zbuluar nga agjentët. Policia e Tiranës vuri në pranga një 44-vjeçare, e cila së bashku me një tjetër femër, akuzohen se i kanë vjedhur një shtetasi shumën prej 100 mijë lekësh të vjetra. Ndërkohë në kërkim është shpallur një tjetër shtetas, i cili bënte pjesë në grupin e tyre. Sipas burimeve nga policia, në pranga ka rënë shtetasja Fatmira Mediu, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë. E arrestuara akuzohet edhe se ka shfrytëzuar një vajzë për qëllime prostitucioni. Ajo është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të marrë masën e arrestit. Sipas burimeve nga policia, e arrestuara dhe mikja e saj kishin ngritur një skemë vjedhjeje, ku arrinin që t’u zhvatnin paratë nga xhepat “preve” së tyre, të gjithë klientë seksi. Megjithatë, kjo skemë e tyre ka përfunduar ditën e djeshme, pasi ajo u zbulua nga policia.
Zbulimi
Ka qenë një person, ish-klient i tyre, ai që ka denoncuar në polici vjedhjen e parave nga këto dy femra. Dy ditë më parë, ato kishin arritur që t’i merrnin atij shumën prej 1 milion lekësh. I dëmtuari me inicialet Gj.P., pasi ka parë se i mungonte shuma e lekëve, ka shkuar menjëherë në komisariat, ku ka kryer edhe denoncimin për këtë ngjarje të pazakontë që i kishte ndodhur. Pas marrjes së informacionit, punonjësit e policisë kanë nisur nga puna për kapjen e dy grave. Arrestimi i Mediut është bërë në një hotel, në kushtet e flagrancës. Sipas policisë, bashkëpunëtorja e saj kryente edhe rolin e prostitutës. E arrestuara, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë, ishte me arsim 8 klasë dhe e padënuar më parë. Sipas policisë, dy ditë më parë, në bashkëpunim me një grua tjetër, ato kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, duke i vjedhur 44-vjeçarit GJ. P. shumën prej 100 mijë lekësh të reja. Ndërkohë që së bashku me dy femrat vepronte edhe një tjetër person. Sipas policisë, Mediu dhe bashkëpunëtori i saj akuzohen se kanë mashtruar një vajzë dhe e kanë shfrytëzuar atë për qëllime prostitucioni. Ndërkohë që akuzohen edhe për vjedhje të klientëve të seksit. Policia ka shoqëruar 44-vjeçaren në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para drejtësisë, ku ajo akuzohet për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “shfrytëzimit për prostitucion”.
Precedenti
Disa muaj më parë, një skemë e ngjashme është zbardhur nga policia e kryeqytetit, duke vënë në pranga dy shtetas, Albana Zenelin dhe Petrit Lazajn. Këta dy shtetas, pasi mashtronin meshkuj të ndryshëm kundrejt seksit me pagesë, i grabisnin ata. Por, do t’u ngelte një berber nga Durrësi në dorë që të zbuloheshin nga policia. Kufoma e tij u gjet e braktisur pas ish-ambasadës jugosllave. Pasi i bënë një sërë analizash dhe ekspertizash kufomës, u arrit në kapjen e autorëve, prostitutës që thithte klientët dhe tutorit të saj që më pas i grabiste.