Mashtrimi i Berishës: Do rihap dosjen e Hajdarit, por e mbyll me një vizitë në shtëpi

Kryeministri Sali Berisha vizitë në shtëpinë e Azema Hajdarit
Para 7 vitesh kryeministri Sali Berisha premtoi se do të rihapte dosjen për vrasjen e Azem Hajdarit. Por ky premtim ishte një mashtrim pasi kryeministri nuk e ka hapur më as si temë e jo më si dosje. Dje, Berisha ka qenë në shtëpinë e ish-nënkryetarit të PD-së, por nuk ka folur për hapjen e dosjes së hetimit të vrasjes.
Gjatë vizitës, që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në shtëpinë e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdarit e rastin e ditës së Dëshmorëve ai vlerësoi vetëm figurën e nënkryetarit të PD-së. Në vlerësim të figurës së Azem Hajdarit, Berisha shtoi se lëvizja studentore gjunjëzoi në dhjetor të vitit 90 diktaturën më të egër në Shqipëri.
“Në historinë e vendit Azem Hajdari, në udhëheqje të lëvizjes studentore që do të gjunjëzonte në dhjetor të vitit 90 diktaturën më të egër dhe më të shëmtuar që kohërat kishin njohur ndonjëherë, do mbetet frymëzim i përjetshëm për shqiptarët në përpjekjet e tyre për zgjerimin, konsolidimin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë”,tha Berisha. /E.L/