Mashtrimi i Dukës, merr rolin e heroit me lobimin për Kosovën
TIRANE- Komisioni i Federatave në FIFA do të diskutojë për mundësinë që Kosova të luajë ndeshje miqësore. Një lajm i tillë është publikuar me të madhe nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, që në një mesazh të shpërndarë për mediat, kanë bërë të ditur se një diskutim i tillë është mundësuar nga kreu i saj Armand Duka. Në njoftimin e FSHF-së thuhet se çështja e Kosovës u shtua në rendin e ditës me kërkesën e Dukës, por në të vërtetë gjithçka përbën një mashtrim të Federatës. Gazeta Panorama Sport ka zbuluar një letër të datës 23 shtator, ku sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Zherom Valke, i drejtohet atij të Federatës së Kosovës Fadil Vokrri, duke i konfirmuar mbajtjen e një mbledhjeje të posaçme për kërkesën e Kosovës më 19 tetor. Siç shihet në letër, e cila është e publikuar edhe në sajtin zyrtar të Federatës së Kosovës, kjo e fundit i është drejtuar vetë FIFA-s për ndeshjet miqësore, madje që herët, më 2 shtator, kështu që merita e Dukës në këtë aspekt, është zero. Por, FSHF ka nxituar të deklarojë në faqen e saj zyrtare se kjo u bë e mundur në sajë të presidentit të saj, i cili me këmbëngulje ka kërkuar që të shtohet një pikë tjetër në rendin e ditës, meqë ai është anëtar i Komisionit të Federatave. Përgjigja e FIFA-s ka qenë më 23 shtator, ku ajo njofton Federatën e Kosovës për diskutimin që do të bëhet, në një kohë që Federata Shqiptare duket e gjitha e prirur ta shesë këtë si meritë të Dukës. Edhe vetë Federata e Kosovës e nxjerr bllof homologen shqiptare, duke bërë të ditur në uebsajtin e saj lobimin e bërë nga presidenti i saj Vokrri mbi këtë çështje. Duke qenë se nuk është në OKB, Kosova nuk është pranuar si anëtare as në FIFA e UEFA dhe kësisoj, ajo nuk mund të luajë ndeshje zyrtare. Por, edhe miqësoret në datat zyrtare, janë të ndaluara.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)