E Diel, 1 Nëntor 2026

Eda Zari në Tiranë, promovon albumin “Toka e panjohur”

TIRANE- “Toka e panjohur”, ose “Toka incognita” titullohet albumi i nëntë i këngëtares me famë europiane, Eda Zari, të cilin do ta sjellë në Tiranë, përmes një koncerti recital.

Albumi krahas muzikës xhaz ka në përbërje të tij dhe muzikën polifonike shqiptare në një tjetër version, por pa cënuar origjinalitetin e saj.

Ambasadorja e muzikës shqiptare në Europë kërkon që nëpërmjet këtij albumi, muzika jonë të njihet edhe në botë.

“Për bandën time dhe për mua personalisht është privilegj të vij për herë të parë me një koncert recital, aq më tepër i bazuar në ison polifonike shqiptare, që është një perlë e vërtetë. Janë motive të mrekullueshme të gurës sonë popullore. Muzika shqiptare për të huajt është deri diku e panjohur ndaj ne duam të nxjerrim faqen më të mrekullueshme të medaljes së kulturës shqiptare në botë”- deklaroi këngëtarja.

Eda Zari do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit më 21 tetor. Në përbërje të bandës së saj janë instrumentistë nga vende me kulturë dhe influenca të ndryshme muzikore.

“Toka e panjohur” do të prezantohet për herë të parë në Shqipëri dhe më pas do të nisë xhiron e saj nëpër Europë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›