E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi i madh me xhaminë e re, firma e Berishës edhe për qendër tregtare

vendimi-berisha—-Nga Mentor Kikia—-

Tiranë- Tani është e konfirmuar me dokumente, të firmosura nga vetë kryeministri Sali Berisha se në sheshin e Namazgjasë në Tiranë nuk do të ndërtohet vetëm xhamia e shumëpërfolur, e shumëpritur për myslimanët dhe e shumëdebatuar së fundmi. Bashkë me të, ashtu siç ishte hamendësuar deri tani, do të ndërtohet edhe një qendër tregtare, e përshkruar si qendër multifunksionale, deri në tetë kate e lartë. Për herë të parë bëhet publike leja e ndërtimit, që është në fakt vendimi i KRT-së për xhaminë e re, ndërsa ende është mistër projekti dhe mënyra se si do të jenë vendosur dhe harmonizuar godinat. Në fakt ishte folur e flitet zyrtarisht vetëm për xhami, pasi zyrtarisht autoritetet kishin shmangur e shmangin të vërtetën, se bashkë me xhaminë aty do të ndërtohet edhe një qendër tregtare, që do të jetë qendra e vetme tregtare mu bash në zemër të Tiranës dhe duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore. Sepse nën emrin e xhamisë, është fshehur shkatërrimi i parkut për llogari të një biznesi.

Vendimi---2-faqe-1Vendimi

Në datën 29.05,2013, KRT ka dhënë lëjen zhvillimore për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe Godinës Polifunksionale (3,4,6 dhe 8 kate dhe 3 kate nën tokë. Vendi i ndërtimit është pikërisht lulishtja para parlamentit, e njohur si sheshi i Namazgjasë. Për zbatimin e këtij vendimi caktohet Ministria e Kulturës. Vendimi është firmosur nga Sali Berisha, e më pas edhe nga ministri i Kulturës Visar Xhiti.

Në lejen zhvillimore sqarohet se ndërtesa e xhamisë do të jetë 1,2,3,4 kate e lartë dhe 3 kate nën tokë. Ndërsa ndërtesa polifunksionale do të jetë 3,4,6,8 kate e lartë dhe 3 kate nën tokë. Leja e ndërtimit i është dhënë Komunitetit Musliman Shqiptar dhe kompanisë Ndërtuesi sh.p.k.

leje-zhvillimore-komplekseLeja zhvillimore

Ky është konfirmimi zyrtar se nën pretekstin e ndërtimit të xhamisë, Tiranës do t’i shtohet mu në qendër, duke shkatërruar një parkt, edhe një qendër tregtare të cilën deri tani qeveria dhe Bashkia e Tiranës e kanë fshehur.

Madje mësohet se edhe Komuniteti Mysliman është vënë nën presion për të heshtur për bashkëndërtimin e xhamisë me një qendër tregtare në këtë shesh, pasi mund të rrezikonin lejen e ndërtimit aq shumë të kërkuar. Ose e thënë ndryshe, leja e ndërtimit për xhaminë ka qenë e kondicionuar me lejen për ndërtimit e qendrës tregtare, e për të cilën komuniteti mysliman nuk bën asnjë koment. Madje, në mënyrë absurde kjo leje i kalon për zbatim Ministrisë së Kulturës. Se çfarë lidhje mund të ketë Ministria e Kulturës me nje qendër tragtare (e maskuar si qendër multifunksionale), atë vetëm qeveria mund ta dijë. Por e gjitha është bërë për të treguar se kemi të bëjmë vetëm me një objekt kulti. Praktikisht, në këto kushte ende nuk dihet nëse kjo ndërtesë që do të pushtojë plot 5.500 metra katrore hapësirë, do të jetë më shumë xhami apo më shumë qendër biznesi.

Padinë e bërë në gjykatë një ditë më parë nga disa OJF, mediat pranë të djathtës dhe posaçërisht gazeta ‘RD’, e komentonte si sulm kundër xhamisë së re, për përmendur fare se objekti më i madh në atë shesh nuk do të jetë xhamia, por qendra tregtare. Reagimin qytetar kundër shkatërrimit të parkut për qëllime biznesi, qeveria kërkon ta konsiderojë si sulm kundër ndërtimit të xhamisë, për të fashitur në këtë mënyrë ndonjë reaksion edhe më të madh për mbrojtjen e mjediseve publike gjithnjë në zhdukje, në kryeqytetin tonë gjithnjë e më kaotik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›