E Shtunë, 31 Tetor 2026

Industria e riciklimit, jetike për një mjedis të shëndetshëm dhe mbrojtjen e tij

08-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve metalike, një investim i huaj me vlerë 8 milionë euro, e vendosur në Xhafzotaj, (Durrës). Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e këtij impianti një investim të rëndësishëm që, me përdorimin e teknologjisë më të mirë për trajtimin dhe riciklimin e mbetjeve metalike, me një produkt final njëqind për qind të padëmshëm, sjell një kontribut tjetër në zhvillimin e industrinë së riciklimit në vend. 
 Kryeministri tha se industria e riciklimit është një industri jetike për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, mbajtjen e një mjedisi të shëndetshëm, por edhe një industri që punëson një numër të konsiderueshëm punëtorësh. Njëherësh, theksoi Kryeministri, ky investim, në kohën e krizës që ka pllakosur vendet e rajonit e më gjerë, dëshmon për besimin e investitorëve të huaj tek Shqipëria dhe politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë shqiptare.
 
Në përshëndetjen e tij, me këtë rast, më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:
 
“Së pari, dëshiroj t’ju shpreh ju, zoti Scholz, mirënjohjen time të thellë dhe të shqiptarëve, për besimin e madh që ju keni treguar ndaj Shqipërisë, duke vendosur këtu një nga projektet tuaja të rëndësishme. Një projekt që konsiston në investimin e 8 milionë eurove për trajtimin dhe riciklimin e mbetjeve metalike dhe të tjera të automjeteve. Investimi juaj është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, së pari, në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Me teknologjinë tuaj moderne, ju trajtoni në parametrat më të mirë automjetin, me të gjitha pjesët përbërëse, duke pasur për rezultat final një produkt njëqind për qind të padëmshëm. Ky investim i shtohet industrisë tjetër të riciklimit, e cila punëson mijëra e mijëra punëtorë në mbarë vendin. Një industri jetike kjo, për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, jetike për të mbajtur një mjedis të shëndetshëm, në të cilin jetëgjatësia e shqiptarëve duhet të ecë gjithnjë e në rritje. Por kjo është edhe një industri që punëson në Shqipëri e mbarë Europën një numër të madh, të konsiderueshëm të qytetarëve.
 
Investimi juaj, në këtë kohë krize të stuhishme që ka pllakosur vendet e rajonit e më gjerë, shkëlqen edhe më shumë. Ai dëshmon jo vetëm besimin e madh që keni tek ky vend, por edhe suksesin e reformave të kësaj qeverie. Mesatarja e investimeve të huaja në këtë vend, nga viti 1997 - në vitin 2005, ishte qesharake apo pothuaj inekzistente, që vërtitej tek 38 milionë dollarë në vit. Ndërkohë që potencialet e vendit janë të jashtëzakonshme. Ndaj qeveria ime u angazhua para shqiptarëve ta shndërronte Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Kjo tingëllonte një zotim jo realist dhe pati nga ata që e interpretuan thjesht si limonadë elektorale, por ne nuk e ndërmorëm atë si të tillë. Ne vendosëm të bëjnë gjithçka, që Shqipëria të jetë vendi më tërheqës për investimet e huaja. Dhe, të dashur miq, vitin që kaloi, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, me rritje të investimeve të huaja. Premtimi ynë i vështirë u bë realitet. Investimet e huaja në Shqipëri, pas revolucionit fiskal që ne ndërmorëm duke vendosur këtu, barrën më të ulët të taksave në Europë, pas krijimit të One Stop Shop për regjistrimin e biznesit dhe dhënien e licencave, nismës së kontratave me 1 euro, investimet e huaja në Shqipëri, nga viti 2006 - në vitin 2010, sipas UNCTAD, kanë shënuar rrije prej 316 për qind. Nga 38 milionë dollarë që ishte mesatarja e 8 viteve para vitit 2005, në tre vitet e fundit, kjo mesatare është 1 miliardë dollarë. Unë dua t’ju garantoj se qeveria është e vendosur të përmirësojë më tej të gjithë kuadrin ligjor, në mënyre që ju dhe investitorë të tjerë, vendas e të huaj, të regjistroni histori suksesi në këtë vend.
 
Shqipëria ofron mundësi të mëdha, ka potenciale të jashtëzakonshme. Potenciali i saj më i madh është potenciali i saj njerëzor. Njerëz të rinj, dinamikë, të shkolluar, njerëz që pranojnë sakrificën, në interesin e tyre më të mirë. Por Shqipëria ka potenciale të tjera natyrore shumë të mëdha dhe ne do të bëjmë gjithçka që t’i shndërrojmë ato, në vlera për qytetarët shqiptarë. Ata që premtojnë rikthimin e taksave të sistemit socialist, jetojnë në ëndrra të këqija. Socializmi nuk ishte vetëm realiteti më i hidhur i këtij vendi, por edhe ëndrra më e keqe kombëtare, në historinë e këtij vendi. I kundërt është qëndrimi ynë. Ne vazhdojmë të persistojmë dhe të bëjmë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjeruar lirinë tuaj ekonomike. Shqipëria, vërtet, vitin që kaloi ia doli të thithë 1 miliardë e 97 milionë dollarë investime të huaja, por unë jam i bindur dhe besoj se potenciali i saj është edhe 3 herë më i madh. Le të bëjmë gjithçka, së bashku, për të shpalosur sa më shpejt, potencialet e jashtëzakonshme të këtij vendi dhe të bëjmë realitet projektin më të bukur të çdo shqiptari - Shqipëria vend i zhvilluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›