Enciklopedia e re maqedonase ende mister
Kuvendi i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (AMSHA) ka vendosur që të hartohet një enciklopedi e re, pas rrëzimit të enciklopedisë së parë që ishte kryekëput një dokument antishqiptar dhe i konsideronte banorët autoktonë si të ardhur. Kryetari i redaksisë së re për hartimin e enciklopedisë, Mitko Manxhukov, ka kumtuar vendimin, duke theksuar se është e nevojshme që të hartohet një enciklopedi e re. Ai ka paralajmëruar një seancë të posaçme, ku do të diskutohet për konceptin e enciklopedisë së re. Manxhukov ka theksuar se punimet për enciklopedinë e re duhet të fillojnë nga viti i ardhshëm. Lidhur me enciklopedinë e vjetër, e cila zgjoi reagime të ashpra nga shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar, akademiku Manxhukov ka nënvizuar se enciklopedia e vjetër është punë e kryer dhe duhet t’i jepet fund asaj. “Në atë enciklopedi ka shumë gabime, jo vetëm materiale, por edhe gabime faktike në shumë lëme dhe për shumë popuj, sidomos në raport me shqiptarët dhe në raport me kulturën maqedonase në përgjithësi”, ka theksuar akademiku Manxhukov.
Përfaqësuesit e AMSHA dhe të redaksisë së enciklopedisë kanë theksuar se ajo do të reflektojë realitetin multietnik dhe multikulturor në Maqedoni, ndërsa emërtimi i saj pritet të jetë “Enciklopedia e Maqedonisë”.
#