E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema piramidale e kosovarëve vazhdonte në Ohër

Paratë dyshohet se transferoheshin në Qipro. Dy organizatorët u jepnin klientëve një libër me titull “Rruga kah suksesit”

Aktiviteti kriminal për rekrutimin e shtetasve shqiptarë në një skemë mashtrimi vazhdon ende, megjithëse policia në bashkëpunim me prokurorinë ka arrestuar dy shtetas kosovarë disa javë më parë në periferi të Tiranës gjatë një seminari. Grupi hetimor i çështjes dyshon se dhjetëra qytetarë udhëtojnë për çdo javë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, ku realizojnë edhe pagesat, pasi janë të bindur se duke realizuar një pagesë prej 2290 eurosh, ata arrijnë të pasurohen. Prokuroria e Tiranës dyshon se kjo skemë është piramidale pa asnjë dyshim dhe synon të “mbushë” xhepat e disa shtetasve në kurriz të të tjerëve. Ndërkohë, prokuroria ka zbardhur edhe transfertat e të hollave nga kjo skemë. “Ka dyshime se transfertat dërgoheshin në shtetin e Qipros”, thanë burimet nga prokuroria, duke shtuar se të gjithë të mashtruarit kanë blerë edhe nga një libër.

Skema

“Rruga kah suksesit” quhej libri që merrnin në përdorim anëtarët e kësaj skeme piramidale, duke paguar si kuotë anëtarësimi 2290 euro. Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli kanë pohuar para hetuesve se “kemi shitur ide për administrimin e biznesit dhe ngritjen e tij”, ndërsa kanë mohuar se kanë detyruar individë të paguanin në shoqërinë që kishin krijuar. Ata kanë shtuar se në Shqipëri organizonin takime periodike, ku merrnin pjesë qindra biznesmenë, duke i ndihmuar këta të fundit që ta administronin sa më mirë pasurinë, ndërsa i jepnin në dorëzim edhe një libër. Burime nga prokuroria thanë se “shitja” e këtij libri realizohej për t’u lënë një shenjë të mirë të gjithë të mashtruarve, si dhe për të krijuar besim në radhët e anëtarëve. Megjithatë, njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës deklaroi se hetimet për këtë grup janë të plota dhe për të zbuluar këtë skemë piramidale janë përdorur të gjitha mjetet e hetimit, si përgjimi dhe vëzhgimi i të dyshuarve gjatë seminareve që zhvillonin në disa lokale të Tiranës. Grupi hetimor deklaron se në prokurori janë regjistruar edhe dhjetëra kallëzime të reja, ku individë të ndryshëm deklarojnë se kanë paguar nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqatë apo shoqëri huamarrëse. Nga të dhënat që prokuroria ka fituar nga bashkëpunimi me bankat e nivelit të dytë, ka rezultuar se ky grup kriminal kishte një llogari prej 540 mijë eurosh në shtetin maqedonas. Dyshohet se transferta e të hollave është realizuar nga shteti shqiptar, ndërsa më pas të hollat kanë shkuar në shtetin e Qipros, i cili njihet si “parajsë fiskale”. Asnjë person që transferon të holla në atë shtet nuk pyetet për burimin e fitimit të të hollave. Ndërkohë, prokuroria deklaron se dy kosovarët, të cilësuar si “truri” i kësaj skeme piramidale, kishin në Shqipëri një llogari bankare prej 120 mijë eurosh. Kjo shumë përdorej për të paguar personat që sillnin të tjerë për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri rentiere.

Hetimet

Prokuroria thotë se skema piramidale, e ngritur nga dy shtetasit kosovarë dhe nga një i tretë shqiptar i shpallur në kërkim, do të hetohet nga të paktën katër shtete. Drejtësia shqiptare ka finalizuar operacionin “Rruga pa sukses”, duke vënë në pranga Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin, ndërsa Maqedonia dhe Kosova pritet të fillojnë hetimet pas bashkërendimit të informacioneve me njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme. Në shtetin e Qipros do të dërgohet një letër-porosi për të marrë informacione rreth kompanive të regjistruara në këtë vend. Krahas këtyre personave, policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë për vënien para përgjegjësisë ligjore të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se e organizonin këtë skemë mashtrimi në Shqipëri. Në kërkim është shpallur një i tretë, ndërsa mund të hetohen në gjendje të lirë edhe dhjetëra persona që kanë “mashtruar” shokët e kolegët, duke u premtuar të derdhnin 2290 euro për t’u pasuruar pa punuar. Organizatorët e këtij grupi kanë mashtruar rreth 420 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Policia e Tiranës tha se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm, këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Prokuroria urdhëroi arrestimin e Kyçykut dhe Haxhiollit para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit me të gjitha metodat speciale të hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›