Mashtrimi, krimi që shton dosjet e akuzës
Krimi në Republikën e Shqipërisë është sofistikuar në krahasim me dhjetë apo pesë vite më parë. Në kohën e internetit dhe të globalizimit, kriminelët gjejnë mundësi të reja pasurimi. Kanë lënë mënjanë vrasjet apo krijimin e organizatave kriminale, siç ndodhte pas trazirave të ‘97-s, apo trafiqet e paligjshme të narkotikëve dhe të armëve gjatë viteve 2005, dhe tashmë kanë filluar aktivitetin e mashtrimit. Me gjithë ngritjen e strukturave Task-Forcë në rrethet kryesore të vendit, vepra penale e mashtrimit është shtrirë në të gjithë territorin, ndërsa një pjesë e mirë e elementëve kriminalë importohen nga vendet fqinje si nga Kosova dhe Maqedonia. Tashmë vëmendja e strukturave të drejtësisë (gjykatës, prokurorisë e policisë) është përqendruar në shkatërrimin e këtyre bazave, të cilat kanë arritur të mashtrojnë dhjetëra qytetarë shqiptarë me pretendimin se “për t’u pasuruar nuk duhet të punosh”. Skemat e mirëfillta të ngritura pas viteve ‘90 në Shqipëri janë një modë e vjetër për shqiptarët. Në atë kohë, qytetarët mashtroheshin se kursimet mund të shtoheshin brenda disa muajve, ndërsa aktualisht këto skema piramidale e mashtruese u zhvatnin qytetarëve mijëra euro, me pretendimin se “do të futesh në punë si agjent”, apo “nëse sjell edhe tre aplikantë të tjerë, do të marrësh përqindje”. Për ekspertët e ligjit këto skema janë të mirëfillta kriminale, ndërsa me gjithë paralajmërimet e shpeshta të Policisë së Shtetit që u bënin thirrje të rrinin larg këtyre skemave mashtruese, shumë shtetas kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve.
Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen e organit të prokurorisë ka të bëjë me ngritjen e një skeme mashtrimi nga dy shtetas kosovarë. Me gjithë arrestimin e Valon Kyçykut dhe Burim Haxhiollit, skema kriminale ende vazhdon. Grupi hetimor i çështjes dyshon se dhjetëra qytetarë udhëtojnë për çdo javë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, ku realizojnë edhe pagesat, pasi janë të bindur se duke realizuar një pagesë prej 2290 eurosh, ata arrijnë të pasurohen. Prokuroria e Tiranës dyshon se kjo skemë është piramidale pa asnjë dyshim dhe synon të “mbushë” xhepat e disa shtetasve në kurriz të të tjerëve. Ndërkohë, prokuroria ka zbardhur edhe transfertat e të hollave nga kjo skemë. “Ka dyshime se transfertat dërgoheshin në shtetin e Qipros”, thanë burimet nga prokuroria, duke shtuar se të gjithë të mashtruarit kanë blerë edhe nga një libër, i cili quhej “Rruga kah suksesit”. Ata kanë shtuar se në Shqipëri organizonin takime periodike, ku merrnin pjesë qindra biznesmenë, duke i ndihmuar këta të fundit që ta administronin sa më mirë pasurinë, ndërsa u jepnin në dorëzim edhe një libër.
Ndërkohë, një tjetër individ ka arritur të mashtrojë dhjetëra qytetarë shqiptarë, madje edhe biznesmenë dhe politikanë, duke u zhvatur qindra mijëra euro, me pretendimin se ai kishte një firmë të fuqishme për pajisjen e zyrave me teknologji të lartë. Indrit Aliu ka përfituar dhjetëra mijëra euro. Disa javë më parë, tetë persona u arrestuan me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit kompjuterik. Shuma e vjedhur dyshohet se është më tepër se 100 mijë euro. Hetimet për këtë rast sipas policisë së Tiranës kanë nisur rreth 3 muaj më parë. Vjedhja realizohej me anë të çkodimit të kartave të kreditit të shtetasve të huaj, me të cilat bëheshin pagesat e biletave të udhëtimit për persona që niseshin nga Shqipëria. Ndërkohë, disa muaj më parë prokuroria realizoi operacionin “Matrix”, duke vënë në pranga dhjetëra hakera që çkodonin karta krediti dhe arrinin të bënin një jetë luksi në rajon e më gjerë. Ndërkohë, disa persona të tjerë mashtronin në celularë. Ata deklaronin se “ju jeni shpallur fitues, por për të marrë dhuratën, duhet të na jepnin kodet e pesë kartave rimbushëse të telefonit”. Me këto fjalë, pesë persona kanë mundur të mashtrojnë qytetarë të ndryshëm, duke u vjelë atyre shuma të konsiderueshme parash. Pas denoncimeve të shumta, policia e Tiranës nisi hetimet duke zbuluar dhe mashtruesit.
Së fundmi, policia dhe prokuroria kanë zbuluar mashtrimet e disa personave që hiqeshin sikur kishin njohje të gjithanshme dhe mund të mbaronin punë. Në pranga ka rënë një person që hiqej si kreu i Antikorrupsionit në qeveri dhe si një gjyqtar.
#