E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, plumba futbollistit të Flamurtarit

Krimi Policia, në kërkim të autorit. Dyshohet se ngjarja ka nisur për një konflikt të vjetër

Plagoset me pistoletë 25-vjeçari Armando Myrtaj, futbollist i ekipit të Flamurtarit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:25 të së shtunës në rrugën kryesore të zonës së Skelës, 30 metra larg stadiumit të qytetit të Vlorës. Nga të dhënat paraprake të policisë dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një debati të vjetër mes palëve. Uniformat blu kanë identifikuar autorin, i cili mendohet të jetë kthyer nga emigracioni pak ditë më parë, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Ndërkaq, është krijuar skena e ngjarjes, që çoi në plagosjen rëndë të Myrtajt. Mësohet se futbollisti është grindur me autorin e plagosjes për disa minuta në trotuar. Sherri u duk se u shua, por agresori ka shkuar në makinën e tij tip “Opel” nga ku ka nxjerrë një pistoletë dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të Myrtajt. Ky i fundit i ka bllokuar pistoletën dhe ndërkohë e ka goditur me grushte disa herë. Një person i tretë ka ndërhyrë për t’i ndarë, dhe kur Myrtaj është larguar rreth 10 metra nga makina, agresori ka qëlluar një herë me pistoletë në drejtim të 25-vjeçarit. Ky i fundit është rrëzuar përtokë, duke i krijuar mundësi agresorit të afrohet dhe ta qëllojë për herë të dytë më pistoletë. Në mbrojtje të futbollistit ka shkuar një 22-vjeçar, shok i tij, i cili është afruar me një thikë në dorë, por pa mundur të ndërhyjë, sepse autori i ngjarjes e ka kërcënuar me armë. Mbas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi, ndërkohë që Myrtaj është dërguar në spitalin rajonal. Mbas ndërhyrjes kirurgjikale, ai ndodhet në sallën e reanimacionit. Ndërkaq, policia po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi qytetin bregdetar mbrëmjen e djeshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›