Emocionet e një udhëtimi të papërsëritshëm
Nga Bashkim Fishta
Ish-i dënuar në revoltën e Spaçit,
Që nga çasti i nisjes nga qyteti i Udines (Itali), po ndjeja të më shtoheshin emocionet. E ndjeja se filluan të më shfaqeshin para syve, jo vetëm shokët e pushkatuar në Revoltën e Spaçit, por edhe episode nga më të ndryshmet që kishin mbetur për vite e vite të ndrydhura brenda kujtesës sime.
Do të kujtonim 40-vjetorin e një revolte që do të mbetej në kujtesë të regjimit komunist, si një nga rebelimet më të pashembullta që kishte provuar regjimi i Enver Hoxhës. Revoltë, që u zhvillua në kondita jashtëzakonisht të vështira e të pabarabarta me një regjim të armatosur derri në dhëmbë, I pamëshirshëm, gati ta shtypte me çdo kusht, mjaft të mos përhapej më tej.
Na u desh ta paguanim shumë shtrenjtë atë revoltë.
Vrullin rinorë të atyre viteve, të qeshurat e padjallëzuara por edhe vendosmërinë e palëkundur e atyre katër djemve që sakrifikuan jetën e tyre për t’i treguar rinisë shqiptare se regjimet diktatoriale nuk kanë ngjyrë, ata duhen luftuar deri në sublime. Ata katër djem ishin po aq fajtorë sa dhe ne 69 të tjerët që u ridënuam me rreth 1700 vjet burgim. Por padrejtësia dikur zbulohet, drejtësia triumfon, demokracia kthen prestigjin njerëzve të lodhur nga torturat, por edhe nga vitet e shumta që mbartin mbi shpatulla.
Po atyre të katërve kush ju tregon, kush ju a jep lajmin e bukur të pafajësisë? Do të tentonim nëse do ta dinim se ku prehen, jo jo mendime të tilla të lodhin, të mundojnë pa masë, sidomos kur mosha kalon e nuk kemi më atë forcë për të përballuar emocione të tilla. Kur kanë kaluar 40 vjet nga kjo ngjarje, sa e dhimbshme, aq edhe tragjike, më vjen spontane një pyetje drejtuar protagonistëve të asaj kohe, përfshirë edhe Aranit Çelën, kriminelin e regjur, firmatarin e vdekjes, por edhe të tjerët, si Shehin Skurra, Preng Rrapi, Gjet Çupi, Mark Tuci, Ndue Lleshi, Zef Mardhoqi, Sulejman Manoku, prokurori krimineli tjetër mirditor që dënoi të gjithë protagonistët e revoltës së Spaçit Zef Deda, Fejzi Liço, Skënder Neziri, Frrok Deda dhe Ndue Prenga, të gjithë prezentë në ngjarje, në ekzekutimet e Spaçit, direkt ose indirekt të informuar me faktet, ju drejtohem me një apel sot mbas 40 vjetësh, thirrini ndërgjegjes, në keni kurajo shifini fëmijët tuaj në sy, thojuni atyre se ku gjinden trupat e pajetë të katër martirëve, lehtësojuni ju nga një barrë e rëndë shpirtrore, jo vetëm po bëni të gëzohen një herrë, një herë të vetme vëllezërit e motrat e tyre, sa për nënë e Baba nuk bëhet fjalë. Lëvizni një fjalë juaja vlen shumë, do të mbeteni anonimë për jetë të jetëve.
Për organizimin e këtij evenimenti pata marrë kontakte me Qeverinë për të na ndihmuar, e në mënyrë të veçantë nga z. Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, të cilët i falenderoj në emër të atyre dhjetëra e dhjetëra ish-të dënuarve të ardhur edhe nga rrethet e tjera. Falenderojmë në veçanti Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani që jo vetëm dërgoi në rrënojat e Spaçit dy përfaqësues të institucionit të tij por një ditë më pas dmth. dt.22 Maj 2013, dekoroi me titullin e lartë “Pishtar i Demokracisë” ish-të dënuarit e revoltës së Spaçit: Bedri Çoku, Luan Burimi, Demir Pojani e me mua, autorin e këtij shkrimi. Falenderime edhe për stafin drejtues të Institutit të të Përndjekurve Politik që me punën e pa lodhur bën që ky aktivitet të kurorëzohej me shumë sukses, në veçanti një emër për të gjithë Simon Mirakaj, gjithashtu me buqetën me lule të freskëta z. Hajredin Fratari dhe me Kurorën e z. Lulzim Brahja, u mbyll me sukses një ngjarje që do të mbetet gjatë në kujtesën e atyre që morën pjesë, por nuk përfundoi me kaq, me dt. 23 maj në mbrëmje u vendos “qershia mbi tortë” Ministri i Turizmit Kulturës Rinis dhe Sporteve Visar Zhiti, në emër të institucionit që drejton organizoi në Teatrin e Operas dhe Baletit një shfaqje dinjitoze. Surprizat nuk mbaronin me kaq, në rrënojat e Burgut të Spaçit do të na nderonte Ministri por edhe shoku ynë Visar Zhiti, njëri nga bashkëvuajtësit në ferrin komunist të Spaçit, fjala e tij na mbush me kurajo dhe shpresë për të ardhmen, fjalët e ngrohta drejtuar bashkëvuajtësve japin ngrohtësi e dashuri si vetë poezitë e Visarit.
Në mëngjesin e dt. 21 majit u nisëm të qetë e gati gati të buzëqeshur, por me kalimin e minutave filloi një ndjesi tjetër, filluan mendime, sa më shumë që afroheshim objektit, zemra shtonte rrahjet, por mosha bën të sajën, rrahjet e forta japin emocione, nga njëherë edhe të rrezikshme për ne që i kishim flokët tashmë të zbardhura nga mosha e vuajtjet, por ishin edhe nipërit dhe mbesat që me cicërimat e tyre na jipnin kurajo e forca për të përballuar edhe situata të tilla. Rrugës do të takonim edhe shokë nga rrethet e tjera si nga Laçi dhe nga Shkodra, të cilët i organizonte miku im i vjetër Zenel Drangu. Mbasi lamë rrugën e mrekullueshme të kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën, hymë në rrugën e Repsit, afërsisht 9 km nga Spaçi, aty kupton se çdo të thotë konstruksion rrugësh, nga Tirana derisa lamë Rrugën e Kombit e kemi përshkuar për nji orë e 30 min. Por nga Repsi deri në Spaç, 9 km i kemi përshkuar për më shumë se një orë e gjysmë.
Zbresim tek pllakata që kanë vendosur në kujtim të të burgosurve të diktaturës, shoh shokët duke zbritur nga mikrobusat duke ju dridhur gjunjët, kuptoj se nuk ishte lodhje por emocione të forta, ishte urrejtja, që përzihej me zgjimin, urrejtje për diktaturën por edhe gëzimi që ishim akoma gjallë, poshtë ndërmjet dy grykave rridhte një përrua i vogël, ngjante i ndryshuar, ishte nga ujërat që dilnin nga nëntoka mbushur me pirit, lëngu i të cilit kthente çdo gjë në ndryshk.
Në ato momente sikur flisnim me diktatorin: Hej jemi ne, jemi gjallë, nuk do t’ju lejojmë më kurrë që t’ju bëni keq fëmijëve tanë.
He, he, çfarë përqafimesh, nuk kishte dallim Ministri apo pastruesi, Princi e Drejtori, Avokati apo Doktor Profesor e Inxhinieri. Ishim bërë të gjithë një, lotët nuk mbaheshin më dhe e bukura ishte se askush nuk tentonte t’i fshinte ata, Luan Burimi, Tanush Frashëri, Gëzim Cela, Hysen Xhani e Hysen Haxhia... Ata lotë nuk u ndalën as kur u përplasën në trupin prej atleti të Demir Pojanit që akoma ruante forcën e 40 viteve më parë, kur pikërisht në atë vend të rrënuar tashmë nga koha, u hodh mbi trupin e Fejzi Liços për t’ja hequr nga duart Pal Zefin që po e mbysnin në dru. Qante edhe Demir Abazi, që herë mbas here belbëzonte jo, jo këto gërmadha duhet të zhduken nga faqja e dheut për të mos i kujtuar më!
Por nuk mendonin kështu shumë shokë të tjerë. Sidomos në fjalën e tij, z. Zhiti ngriti me forcë tezën e domosdoshmërisë së një muzeu, sa më shpejtë që të jetë e mundur, duartrokitje e ovacione nga të gjitha anët në fjalën e Ministrit Zhiti, por edhe lot e emocione ngadhnjimtarësh.
I çuditshëm fakti se megjithë rrugën e lodhshme, moshat e thyera, ata protagonistët e atyre viteve të shkuara por të vlefshme për rinin e sotme e të së ardhmes, se jo për tjetër, për të mos harruar të shkuarën. Ata nuk reshtnin së treguari histori e episode të ndryshme, nga burgu dhe revolta. Si u ngrit flamuri, si u dogjën stendat e emulacionit socialist e të tjera, në momentin kur po flitej për flamurin më shkojnë sytë tek cepi i taracës ku u ngrit ai flamur, shqiponja e të cilit u pikturua nga i ndjeri Mersin Vlashi... e ngritëm në taracë, unë, Bedri Çoku, Nuri Stefa e Rexhep Laze. Përnjëherësh më shkojnë sytë tek vendi ku e ngritëm atë; çudi, megjithëmend e çuditshme, në po atë vend kishte mbirë një pemë e vogël, rreth 80 cm e lartë e një perimetër një metroshe. Më vinte të thërras Mrekulli, mrekulli e Zotit. Ajo pemë nuk ka ekzistuar, sepse edhe kur kam shkruar Librin “LIRI NE HEKURA” në kapitullin që flet për Revoltën e Spaçit, nuk ekzistonte një mrekulli e tillë. Jua referova gjithë shokëve, ngelën me gojën hapur, Zoti kishte treguar mirësinë e tij. Zoti e Bekoftë Popullin Shqiptar!