E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjysmohen fondet për Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë

Drejtoresha Olta Ganaj ka pohuar se shkurtimi ka qenë një shumë prej 300 mijë lekësh, prandaj detyrohen të prekin fondin për ushqimin

VLORË Shkurtimi i fondeve nuk ka kursyer as institucionet ku rriten fëmijët jetimë. Krahasuar me një vit më parë, këto fonde janë përgjysmuar. Në Shtëpinë e Foshnjës Vlorë, ky vit ka sjellë një përgjysmim të shumës së dhënë nga buxheti i shtetit. Një vit më parë fondi ishte 4 milionë, ndërsa këtë vit ishte 2.8 milionë lekë. Por kjo shumë është ulur gjatë këtij viti dy herë, një herë me 400 mijë lekë dhe një herë të dytë me 300 mijë lekë. Aktualisht fondi ka zbritur në 2.1 milionë lekë.

Drejtoresha

Lajmi konfirmohet nga drejtorja e shtëpisë së foshnjës Vlorë, Olta Ganaj. Drejtorja e këtij informacioni pohon se, nëse vijohet me ritme të tilla, rriskohet që të vihen në vështirësi, deri për ushqimin dhe veshjen e fëmijëve, të cilët janë strehuar në këtë shtëpi.

“Po të bëjmë një krahasim nga viti 2010 me 2011-n, nga fondi i ardhur nga Ministria e Punës Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka një reduktim në pothuajse 50%, nga një fond i mjaftueshëm disi i një viti më parë, ka një fond shumë të reduktuar për 2011-n, i cili veç faktit që ishte si një grand primar, shumë i reduktuar, gjatë muajve të fundit kanë filluar pakësimet e këtij fondi në zëra të ndryshëm. Institucioni ynë ka vetëm një fond. Atë që bëhet për ndërmarrjen e ushqimeve, i cili është pjesë e zërit 602 te shpenzimet operative, që nga këto reduktime të herëpashershme, është tashmë i prekur. Mund të themi se po të vijojë kjo rënie e fondit për reduktim, ne do jemi në një moment që fëmijët nuk do të kemi me se t’i ushqejmë, t’i veshim dhe t’i rrisim sipas standardeve të miratuara”. Shkurtimet e parashikuara nga shkresa e fundit që u drejtohet shtëpive të foshnjës në disa qytete, për Vlorën bëjnë shkurtimin e rreth 300 mijë lekëve të reja, të cilat, sipas shtëpisë së foshnjës do të prekin edhe tenderin ushqimor. Institucioni varet administrativisht nga Bashkia Vlorë, ndërsa fondet përcaktohen nga ministria e linjës (punës dhe çështjeve sociale).

Fëmijët

Në Shtëpinë e Foshnjës në Vlorë së fundmi është ndryshuar edhe raporti midis fëmijëve të braktisur me ata në interesim (fëmijë që i dorëzojnë vetë prindërit, apo nënat pa baballarë, për pamundësi të kushteve ekonomike). Gjithsej janë 21, shumica e të cilëve me interesim, ku një tjetër i porsalindur diskutohet t’u shtohet numrit të tyre. Në Shtëpinë e Foshnjës mëson se ka prindër të cilët i besojnë këtu fëmijët e tyre, ku nuk përjashtohen shkaqet ekonomike, deri edhe mentaliteti për të rritur një fëmijë pa baba. Raste më tipike janë ai i dy vëllezërve nga Saranda, të cilët i ka sjellë nëna e tyre pasi nuk i ushqente dot, por edhe më i madhi i grupit, Ardi, dikur fëmija i “burgosur” i pediatrisë, që pret nëse një ditë nëna ta bashkojë me familjen e saj të re.

Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›