Mashtrimi në procesin e Otrantos, dënohet avokatja shqiptare dhe bashkëshorti italian
ITALI – Mbyllet procesi i hapur në Itali për shpërdorime nga persona të caktuar për tragjedinë e Otrantos në vitin 1997, ku trupi gjykues dënoi avokaten e familjarëve që humbën jetën në ujërat e Adriatikut. Natasha Shehu është dënuar me 6 muaj burg dhe 300 mijë euro gjobë për mashtrim në dëm të familjarëve të viktimave. Gjithashtu, avokatja duhet t’u kthejë 300 mijë euro familjarëve të viktimave, gjobë kjo e vendosur nga gjykata. Bashkë me të do të vuajë dënimin edhe bashkëshorti i saj, Cosimo Argentiero. Në tragjedinë e Otrantos të 28 marsit 1997, ashtu sikurse u evidentua edhe në Gjykatën italiane të shkallës së parë, ka qenë anija luftarake “Sibilla”, që i ka rënë anijes së vogël shqiptare "Kateri i Radës". 13 vite më parë, 120 emigrantë shqiptarë me “Katerin e Radës” udhëtuan nga Otrantoja në drejtim të brigjeve italiane. Nga përplasja e fuqishme mbetën të vdekur në det 81 viktima, të gjithë emigrantë shqiptarë, ndërsa 24 persona u deklaruan të zhdukur, pasi trupat e tyre nuk u gjendën kurrë. Gjykata në shkallën e parë fajësoi palën italiane, duke dënuar me katër vite burg ish-kapitenin e anijes "Sibilla", ndërkohë që me vendim të qeverisë italiane, secili nga familjarët e viktimave do të merrte nga 35 mijë euro dëmshpërblim, para që nuk u dhanë kurrë.
29 Dhjetor 2010