E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumf kampionësh, Reali mposht Barçën

Vulos Ronaldo, tani “galaktikët” kanë 7 pikë larg.

Skuadra e Murinjos ka fituar me meritë të plotë kundër Barcelonës, duke shkuar tashmë në 7 pikë avantazh kundër rivalëve të tyre të përjetshëm.
Tani armata e Murinjos është thuajse kampione e Spanjës, edhe pse mbeten katër ndeshje për t’u luajtur.
Ndeshja – Këtë herë janë ngjyrat e forta të Zhoze Murinjos dhe muzika e shfrenuar e “Los blankos” që dominojnë mbi melodinë e mrekullueshme dhe hipnotizuese të Barcelonës. Madrilenëve do t’u kishte mjaftuar edhe një barazim për të qenë të qetë se titullin nuk ua marrte askush. E megjithatë, ata arritën të fitonin duke i dhënë kësaj ndeshjeje një simbolikë të veçantë: titullin e vulosim në “Kamp Nou”. Kështu, Barcelona gjunjëzohet në fushën e saj pas 54 ndeshjesh.
Fitorja e Murinjos – Fitore e madrilenëve, por fitore edhe e Murinjos mbi aspak të dashurin Guardiola. Ky i fundit i befason të gjithë me mënyrën se si e lexoi lojën edhe kur skuadra e tij nuk po bënte atë që duhej në fushë. Befasues, por jo për mirë me tridhëmbëshin e sulmit, duke i besuar Mesit, Iniestës dhe Tejos, ndërkohë që Murinjo është më i lexueshëm me Benzemanë, të vetmin sulmues të deklaruar. Portugezi ngjesh mirë mesfushës, ku mjafton të thuhet se edhe Ronaldo ishte shndërruar në një mesfushor.
Reali me personalitet – Duke lënë mënjanë taktikën, lojtarët e Realit nuk janë aspak ata mercenarët e parave që jemi mësuar t’i quajmë shpesh. Përkundrazi, janë shumë krenarë në fushën e lojës. Luftëtarë të vërtetë, të cilët janë të gatshëm të japin gjithçka për të fituar. Receta e Murinjos është e thjeshtë: disiplinë taktike dhe shumë, por ama shumë vrap. I lihet Barcelonës posedimi i topit, por ama kjo skuadër, të vetmin shans të mirë që pati ishte ai me Ksavin, që i vetëm me Kasijasin në minutën e 33-të, nuk e dërgoi dot topin në rrjetë.
Anësorët e majtë të Barçës – Guardiolës nuk i del hileja me lëvizjen taktike, ku kishte postuar Alveshin shumë të avancuar. Tejo dhe Iniesta nga ana tjetër nuk gjejnë hapësirat që kishin llogaritur nga e djathta. Reali nuk krijon shumë raste, por sa herë që zbret, e bën Guardiolën t’i bjerë infarkt, pasi mbrojtja e tij për asnjë moment nuk dha siguri. Goli i Realit, gjithsesi, ishte një lëmsh i madh, ku Pyjol bën të fortin dhe Khedira e ndëshkon duke e çuar topin në rrjetë.
Pjesa e dytë – Reali, i tëri i përqendruar dhe Barça që duket shumë e lodhur. Megjithatë, katalanasit ndërtojnë një aksion monumental, të cilin e humb në mënyrë të tmerrshme Tejo. Pas kësaj, ligjin e bën Reali. Shkatërron, nis kundërsulme dhe ngjall frikë. Guardiola zhbalancon skuadrën duke futur Sançezin në vend të Ksavit. Impakti është i menjëhershëm, sepse, me fat apo jo, Sançez barazon. Në këto raste thuhet se gara është e hapur, por edhe nuk thuhet, ama. Barça nuk pati kohë as të festonte, sepse një perlë e Ozilit nxjerr Ronaldon të vetëm nga e djathta, që nuk gabon dhe e çon topin sërish në rrjetë. Fiton Reali. Më e drejtë kështu. A do të ketë një hakmarrje mes tyre në Champions? Pyesni Bajernin dhe Çelsin….

Skeda
BARCELONA-REAL MADRID 1-2

BARCELONA: Valdes 6, Adriano 6.5 (Pedro 75′), Pyjol 5, Maskerano 5.5, Dani Alvesh 5.5, Buskets 5, Tiago Alkantara 5.5, Iniesta 6, Ksavi 6 (Sançez 59′ 6.5), Mesi 6, Tejo 5 (36′st Fabregas sv).
Tr: Guardiola 5.5
REAL MADRID: Kasijas 6.5, Arbeloa 6,5, Pepe 6.5, Ramos 6.5, Koentrao 6.5, Ksabi Alonso 7, Khedira 7, Ozil 6.5 (Kalejon 89′), Di Maria 6 (33′st Granero 6), Ronaldo 7.5, Benzema 7 (Higuain 48′).
Tr: Murinjo 7.
Golat: Khedira 17′, Sançez 70′, Ronaldo 73′.

Karanka: “Murinjo donte që të sulmonim”
Zhoze Murinjo ka preferuar sërish heshtjen, ndërkohë që zëvendësi i tij, Aitor Karanka, ka komentuar fitoren e arritur në Barcelonë. “Morëm një sukses tepër të rëndësishëm në garën për titull kampion. Jemi shumë të lumtur dhe e meritojmë të festojmë. Kemi bërë një punë të madhe gjatë gjithë vitit dhe po shihen frytet e saj. Murinjo? Në pushim të pjesës së parë ai u tha lojtarëve të tij që nuk duhet të pësonin gol. Por, kur Barcelona barazoi, u kërkoi futbollistëve që të sulmonin. Donte të dilte triumfues nga “Kamp Nou” dhe ia dolëm mbanë”, u shpreh Karanka. Ndërkohë, ai komentoi edhe mbi Ligën e Kampioneve. “Nuk menduam për ndeshjen e Champions-it, pasi nuk kishte arsye, por tashmë jemi akoma më të fortë para Bajernit. Jemi më mirë psikologjikisht, pasi kemi prekur titullin kampion në Spanjë. Thjesht të fitojmë ndeshjet që kemi në fushën tonë në kampionat”, shtoi ai.

Trajneri Guardiola: Jam i lumtur për Realin
Pep Guardiola i ka bërë komplimente skuadrës së Realit të Madridit për titullin që, sipas tij, e fitoi pikërisht në këtë ndeshje. “Mendoj se Reali e meritoi fitoren, por nuk mund të them kurrsesi se skuadra ime ishte inferiore. Jam i lumtur që në Madrid po festojnë, sepse realisht e kanë merituar. Ne kemi pasur më shumë ndalesa gjatë këtij kampionati dhe normalisht sot jemi edhe shumë më larg kreut. Pse nuk e futa Fabregasin që në fillim, apo pak më herët? Mendoj se edhe tani, po të kisha mundësi, do të bëja të njëjtën zgjedhje, pasi Tejo bëri një ndeshje vërtet shumë të mirë. Shpërdoroi një rast për të shënuar gol, por kjo nuk i heq atij asnjë meritë për ndeshjen e madhe që bëri. Sa janë shanset tona që të dalim pa trofe këtë sezon? Mendoj se janë 50 me 50, por të shohim, akoma asgjë nuk ka mbaruar në Champions”, tha trajneri i Barcelonës.

Renditja
Skuadra        P

1.Real Madrid    88
2.Barcelona    81
3.Valencia        52
4.Malaga        51
5.Levante        48
6.Osasuna        46
7.Atl. Bilbao    45
8.Atl. Madrid    45
9.Sevilja        45
10.Espanjol    45
11.Getafe        45
12.Majorka    43
13.Betis        42
14.Valekano    40
15.Sociedad    39
16.Vilarreal    36
17.Granada    36
18.Gijon        34
19.Zaragoza    31
20.Santander    26

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›