Mashtroi turistët, lirohet pronarja e Pasha Holiday

Spoti i agjencisë për udhëtimet në Sharm El Sheik të Egjiptit
Gjykata e Tiranës liroi dje nga qelitë e paraburgimit Marselinda Kortoçin, pronaren e shoqërisë “Pasha Holiday”, të akuzuar për “mashtrim” përmes paketave turistike në Egjipt.
E akuzuara Kortoçi do të hetohet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pas mbajtjes për tri ditë në ambientet e paraburgimit në Tiranë. Para gjykatës, pronarja e shoqërisë turistike nuk e pranoi akuzën e ngritur ndaj saj. Ajo u shpreh se i kishte bërë të gjitha pagesat për shërbimet e klientëve. Sipas saj, kishte qenë një shoqëri vendëse në Egjipt, bashkëpunëtore e shoqërisë së saj, ajo që nuk ishte treguar korrekte. “Ne operojmë me fluturime Charter nga data 10 korrik-3 shtator. Janë bërë disa fluturime, deri në 1 gusht. Ne kemi një marrëveshje me një shoqëri egjiptiane. Marrëveshja është bërë përmes postës elektronike (e-mailit), por edhe jemi takuar. Ne bëmë pagesën e hotelit, por më pas nga operatori morëm vesh që pagesa nuk ishte kryer. Pagesa është bërë para nisjes së Charter-it”, tha Kortoçi. Më herët, avokati i saj mbrojtës u shpreh se Kortoçi kishte kryer çdo pagesë dhe se nuk kishte mashtruar. “Vonesa në pagesat e hoteleve është moskorrektësi nga ana e shoqërisë egjiptiane”, tha avokati. Sipas tij, e gjendur në të tilla kushte, Marselinda Kortoçi i ka paguar për së dyti në rrugë të tjera. Po sipas avokatit, ky “shpenzim i dyfishtë” ka vendosur në vështirësi financiare klienten e tij, e cila ishte e pafuqishme të paguante kthimin e disa shqiptarëve të mbetur në Egjipt. Masa e sigurisë u caktua nga ana e gjyqtarit të gatshëm, Neritan Cena. Në vendimin e tij, gjyqtari refuzoi kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë në proces, për caktimin e një mase sigurie “arrest me burg” me afat 30-ditor për të dyshuarën Kortoçi. Në kërkesën e tij, përfaqësuesi i akuzës Armand Gurakuqi theksoi se ishte e nevojshme të verifikohej plotësisht ngjarja dhe dokumentacioni për të zbardhur rolin që ka pasur e arrestuara në ngjarjen e ndodhur…
(Lajmin e plotë e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
ARMAND BAJRAMI