Nazimja në gjyq: Fiqiriun e vrava për vetëmbrojtje

Nazime Visha, dje në sallën e gjyqit. Majtas, Fiqiri Muça, foto nga celulari i tij, zbuluar nga Panorama
Gjykata e Tiranës vendosi dje masë sigurie “arrest me burg” me afat 30 ditë për Nazime Vishën, 18-vjeçaren e akuzuar për vrasjen me dashje të Fiqiri Muçës, pak pas mesnatës së 12 gushtit në Krrabë.
Në daljen e saj të parë në publik, pas hekurave, 18- vjeçarja mbante veshur një bluzë sportive, tuta treçerekëshe lejla dhe shapka. Para gjyqtarit Neritan Cena, Nazime Visha mohoi ta kishte vrarë me dashje Fiqiri Muçën. “Nuk e kam vrarë me dashje. E bëra për vetëmbrojtje”, tha 18- vjeçarja nga kafazi i sallës së gjyqit, pa dashur të zgjatet në shpjegime rreth ngjarjes. Gjatë paraqitjes së aktakuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces u shpreh se ka ende momente të pasqaruara, dëshmi të pamarra dhe ekspertime të pakryera në lidhje me ngjarjen. Prokurori përmendi edhe deklarimin e taksistit, që shoqëroi viktimën Fiqiri Muça natën e ngjarjes. Para hetuesve shoferi ishte shprehur se kur kishte dëgjuar krisma, kishte parë që viktima ndiqej nga pas jo vetëm nga Nazime Visha, por edhe nga xhaxhai e gjyshja e saj. Në përfundim, prokurori kërkoi “arrest me burg” për të dyshuarën, ndërsa mbrojtja, hetimin e 18-vjeçares pa masë sigurimi.
NGJARJA SIPAS PROKURORISË
Fiqiri Muça prej disa vitesh është i njohur i babait të Nazime Vishës, Beqir Visha. Kjo, për shkak të marrëdhënieve të punës që kanë pasur në fshatin ku dhe banonin. Duke pasur parasysh këto njohje, marrëdhënia midis tyre është forcuar dhe bërë familjare, gjë e cila është kurorëzuar me një lidhje martesore mes vajzës së Beqir Vishës me vëllain e viktimës Fiqiri Muça. Për shkak të lidhjes miqësore, Fiqiri Muça ka pasur mundësinë të hynte disa herë në banesën e Beqir Vishës, madje ka qëndruar dhe disa ditë aty, duke krijuar marrëdhënie të ngrohta me të gjithë pjesëtarët e familjes Visha. Nisur nga kjo lidhje, duke pasur dhe mundësinë që të hynte në banesë dhe pa ndonjë aprovim të pjesëtarëve të familjes, siç pretendohet edhe nga personi nën hetim Nazime Visha, në një rast kur ka qenë 14-15 vjeç, personi në fjalë, viktima Fiqiri Muça, e ka gjetur atë të vetme në banesë dhe e ka përdhunuar…
(Lajmin e plotë e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
ARMAND BAJRAMI