Remzi Hoxha, dëshmojnë ish-oficerët e SHIK-ut
Tiranë- Dy ish-oficerë të SHIK-ut, Arjan Hysolli dhe Qerim Cako kanë dëshmuar sot në seancën e radhës për çështjen “Remzi Hoxha”. Ata ishin urdhëruar të ruanin Avdyl Loshajn, një tjetër person të rrëmbyer në vitin 1995.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, ata kanë deklaruar se kishin marrë urdhër nga shefi i tyre Ilir Kumbaro, që ta ruanin atë në një dhome në ambientet e një prej godinave të Shërbimit Informativ të asaj kohe, që ndodhej pranë drejtorisë së policisë së Tiranës.
Sipas tyre, Loshaj kishte kërkuar të shkonte në banjë dhe kjo kërkesë i ka gjetur ‘ruajtësit’ të papërgatitur. “Gjatë shoqërimit ai u hodh nga dritarja e katit të tretë dhe ra në tokë”- kanë treguar dëshmitarët. Më pas, sipas tyre, ai u transportuar në spital, pasi kishte thyerje në gjymtyrë, shkaktuar prej hedhjes nga lartësia.
Po ashtu, gjatë dëshmisë është thënë se kanë marrë udhër të kontrollonin edhe në automjetin e Remzi Hoxhës dhe gjithcka që gjetën në makinë ia dorëzuan ish-shefit Kumbaro dhe Arben Sefgjinit.
Në këtë proces të bujshëm janë të pandehur, Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt.
Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë.
Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini.