E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, nënë e bijë mbyten në rezervuarin e fshatit



SHKODËR - Një tragjedi familjare ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në Malësinë e Madhe, ku nënë e bijë janë mbytur në një rezervuar. Bëhet fjalë për shtetasen e quajtur Nexhmije Hyka, e cila është mbytur bashkë me vajzën 9-vjeçare Esmeralda, në tentativë për ta shpëtuar këtë të fundit. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës thanë gjatë ditës së djeshme se rreth orës 22:00, në fshatin Vorfe, komuna Gruemire të rrethit Malësi e Madhe, është marrë njoftim nga banorët e zonës se në një rezervuar uji janë gjetur trupat e pajetë të shtetaseve Nexhmije Hykaj, 39 vjeçe dhe vajza e saj, banuese në këtë fshat. Policia tha se, ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi vajza ka shkuar për t’i dhënë ujë lopës dhe ka rrëshqitur në ujërat e rezervuarit. Nëna menjëherë ka shkuar për t’i dhënë ndihmë vajzës së saj e për pasojë edhe ajo është mbytur, duke humbur jetën së bashku me vajzën e mitur. Policia e Shkodrës tha se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu dhe kanë nisur hetimet. Pasi kanë marrë dëshmitë e familjarëve dhe të personave të tjerë që kanë qenë në vendngjarje, është arritur në përfundimin se vdekja e tyre ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Pas përfundimit të hetimeve, dosja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Shkodër për veprimet e mëtejshme.

Bie në përrua imami, RENEA, 12 orë operacion për ta shpëtuar

ELBASAN - Shpëtohet një 57-vjeçar, i cili është marrë përpara nga uji i rrëmbyeshëm i një përroi. Ngjarja ka ndodhur natën duke u gdhirë dita e djeshme. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se Faik Kaloshi, 57 vjeç, imam në fshatin Labinot Mal dhe banues në Lagjen “5 Maji” Elbasan, ka telefonuar në sallën operative në orën 24:00 dhe ka kërkuar ndihmë pasi kishte rënë nga një anë mali 500 metra të lartë në një përrua, uji i të cilit e kishte marrë përpara. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie. Sipas tyre, terreni i thyer ka bërë që të kërkohet ndihmë dhe nga forcat speciale RENEA. 57-vjeçari kishte mundur që të dilte në breg të përroit, por nuk mundi t’i ngjitej shpatit të malit pasi ishte shumë i thepisur. Operacioni i shpëtimit ka vazhduar për më shumë se 12 orë. Forcat e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim dhe me specialet, kanë bërë të mundur të bëjnë shpëtimin e tij rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Është dashur lidhja me litar e tij që më pas të ngrihej lart. Policia tha se Laloshi është dërguar në spital për marrjen e ndihmës mjekësore për shkak të dëmtimeve.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›