E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han: Shqipëria mund të fitojë me këdo

Trajneri holandez i kombëtares rrëfehet në prag të ndeshjes: Ju premtoj se kuqezinjtë do t'ju entuziazmojnë

Në një intervistë ekskluzive për revistën e njohur hungareze "Magyar Hirlap", trajneri i Shqipërisë Ari Han ka folur gjatë për ndeshjen e së shtunës, përballjen me bashkatdhetarin e tij, Ervin Kuman, si dhe kryesimin e kuqezinjve. "Pas dy provave të suksesshme, shqiptarët janë në krye, por fundi është ende larg,"- fillon shkrimi. Po t'i pyesësh futbollistët shqiptarë, asnjëri nuk beson që gjenden rastësisht në krye të grupit. Po i këtij mendim është edhe trajneri Ari Han, i cili që prej ditës së hënë po përgatit ekipin e tij në Vecsez. Të martën paradite, pas stërvitjes, holandezi është takuar me futbollistin e mirënjohur Attila Ladinszki, nëpërmjet të cilit dha një intervistë për revistën në fjalë:

Rrallë ka qëlluar në historinë e futbollit ndërkombëtar, që një ekip jo fort me peshë, brenda dy javësh të gjendet në krye të një grupi kualifikues. Zoti Han, e shikoni si një moment vendimtar përballjen me hungarezët?

Sigurisht që është një moment shumë i rëndësishëm. Duhet të pranoj që nuk kemi pasur shumë kohë për t'u përgatitur para kësaj ndeshjeje, por gjithsesi u gëzova që arritëm të fitojmë dy ditë më shumë për t'u stërvitur. Terreni këtu është shumë i favorshëm, në të gjithë përbërësit e tij. Me një fjalë, gjithçka na premton një stërvitje më se normale përpara ndeshjes të së shtunës.

Si do t'ju vinte po t'ju pyesnim si trajner i kombëtares hungareze, meqenëse keni qenë kandidat i saj?

Kjo nuk varet gjithmonë nga vullneti ynë. Nuk e fsheh që kam qenë i lidhur dhe kam pasur biseda me Federatën Hungareze të Futbollit dhe, pas këtyre kontakteve, ndodhi ajo, që nuk arritëm të biem në një mendje për çështjen kryesore. Pikërisht në atë kohë, më erdhi dhe kërkesa shqiptare, të cilën nuk mund të mos e pranoja, pasi ishte më e pranueshmja për mua.

Të shtunën në dy stolat respektivë do të ulen dy ish futbollistë holandezë. E gjykoni këtë ndeshje në këndvështrimin e prestigjit?

Kumanin e njoh prej shumë kohësh, madje e konsideroj mik. Me të jam takuar disa herë në Vjenë, gjatë mbledhjeve të organizuara nga UEFA, ku kemi biseduar gjatë. Mes të tjerash, aty i kam thënë: Shpresoj të mos më mbash mëri, në rast se të shtunën e 11 tetorit fitoj kundër hungarezëve.

Po Kumani si u përgjigj?

Vetëm sa tundi kokën. Punë e tij. Unë për vete asnjëherë nuk jam lëkundur në bindjen time se, qoftë si lojtar, qoftë si trajner, kudo që të më hedhë fati, do të korr suksese.

Na e thoni sinqerisht, a mendoni se jeni rastësisht në krye të grupit 1?

E kam thënë edhe një herë tjetër, që me këtë përbërje lojtarësh që kam, mund të fitoj kundër çdo ekipi. Kjo siguri më është forcuar edhe më shumë pas dy takimeve të fundit. Më gëzon shumë fakti që suedezët e njohën mirë forcën tonë, sikurse edhe maltezët. Jam shumë i lumtur me këto katër pikë që kemi arritur. Shpresoj shumë që ky numër pikësh të rritet progresivisht.

Mos ndoshta nga kjo deklaratë juaja Shqipëria ëndërron të shkojë shumë larg?

Jo. Natyrisht që ne e njohim mirë realitetin e grupit tonë, i cili është nga më të vështirët. Unë kam shumë besim që së paku vendin e katërt mund ta arrijmë. Në këtë kuptim, më duhet të ripohoj, sikundër dhe shumë të tjerë, që favorite mbeten Portugalia, Danimarka dhe Suedia.

Tek cilët lojtarët tuaj shpresoni më shumë?

Nuk është nevoja të përmend emra të përveçëm. Por ju siguroj që ata të cilët do të shihni në "Ferenc Pushkash" do t'ju entuziazmojnë edhe ju.

-------------------------------------------------Sulmuesi kryesor i kuqezinjve ka thënë nga Hungaria se të shtunën mund të ndodhë gjithçka në "Ferenc Pushkash"

Bogdani: Jam në formë të shkëlqyer

Erion Bogdani është në formë të shkëlqyer përpara sfidës së rëndësishme me Hungarinë. Sulmuesi kryesor i kuqezinjve, e konfirmon këtë, gjatë një deklarate për uebsajtin hungarez "Samsungsport.hu". Sipas kësaj të fundit, nga fusha stërvitore e Vecsezit, "ylli" shqiptar i futbollit foli me optimizëm për kuqezinjtë, duke vënë në dukje rritjen. I pyetur për gjendjen e tij përpara ndeshjes së të shtunës, shqiptari u shpreh:

"Jam në formë të shkëlqyer. Veçanërisht më gëzon fakti që erdhëm këtu në kohën e duhur dhe do të kemi mundësi të përgatitemi si duhet. Kohët e fundit, kombëtarja jonë ka pasur një rritje të ndjeshme. Kjo edhe nga fakti që shumica e lojtarëve luajnë nëpër kampionatet e Europës dhe kësisoj kanë më shumë përvojë. I gjithë grupi duket në një formë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi teknik, që i ka dhënë shumë rëndësi kësaj ndeshjeje." Por çfarë mendon sulmuesi kryesor i kuqezinjve për kundërshtarin dhe mundësitë e Shqipërisë. Bogdani përgjigjet: "E kam parë ndeshjen e Hungarisë me Danimarkën dhe, të them të drejtën, më ka befasuar shumë loja e futbollistëve hungarezë, ndaj të cilëve mendoj se do ta kemi shumë të vështirë ditën e shtunë. Sigurisht që ne na duhet fitorja, por duke gjykuar në bazë të të gjithë faktorëve, mendoj se gjithçka mund të ndodhë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›