E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesi, ekstradohet nga Athina Indrit Aliu



Etleva Delia

Interpoli ekstradoi nga Athina supermashtruesin Indrit Aliu, i shpallur në kërkim në mars të vitit të kaluar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda ndaj disa biznesmenëve në Tiranë. Gjashtë muaj pas arrestimit të tij në kryeqytetin grek, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga prokuroria në ngarkim të tij, Indrit Aliu ka zbritur dje rreth orës 17:05 në Aeroportin e Rinasit, i prangosur dhe i shoqëruar nga oficerët e Interpolit. Me një vendim të datës 1 prill të vitit 2009, Gjykata e Tiranës vendosi në mungesë masën "arrest me burg" për Indrit Aliu dhe që nga ai moment Interpoli e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar. Më 18 nëntor 2009, rreth orës 23:30, Aliu është ndaluar nga oficerët e Interpol-Athinës, në kryeqytetin grek, ku fillimisht është prezantuar me emrin e një biznesmeni nga Berati, Sokol Shehu. Identiteti i tij nuk i ka bindur oficerët, të cilët e kanë shoqëruar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe shumë shpejt ata kanë zbuluar se personi i ndaluar ishte Indrit Aliu, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për mashtrim. Pas verifikimit është njoftuar menjëherë Interpol-Tirana dhe dje, rreth 6 muaj nga arrestimi, Aliu u ekstradua për t'u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij nga biznesmenë, të cilëve në total dyshohet se u ka vjedhur nëpërmjet mashtrimit rreth 6 milionë euro.
MASHTRIMET
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dosjen e Indrit Aliut, i cili akuzohet për 11 raste mashtrimi me pasoja të rënda. Sipas të dhënave të dosjes, Indrit Aliu rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar për të paktën 11 raste mashtrimi me pasoja të rënda, me një dëm prej rreth 6 milionë euro. Dosja në ngarkim të 26-vjeçarit nga Vlora është hapur më 19 mars 2009, pas gjashtë denoncimeve të bëra në prokurori, që akuzonin Indrit Aliun për mashtrim me pasoja të rënda në rreth 3 milionë euro. I kërkuari do të dërgohej në gjyq në mungesë, por pas konfirmimit të arrestimit e më pas ekstradimit të tij, pritet që dosja të plotësohet edhe me deklarimet e vetë të akuzuarit. Në përfundim të hetimeve, prokuroria pohon se ka provuar 11 raste të vjedhjes me anë të mashtrimit nga Indrit Aliu. Të dëmtuarit kanë qenë kryesisht biznesmenë, të cilëve Indrit Aliu akuzohet se u ka marrë shuma të mëdha financiare dhe materiale me anë të mashtrimit në kontratat e nënshkruara, duke u hequr si një biznesmen i fuqishëm, pronar i kompanisë "Dejs & Partners Consulting".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›