Vetitë që sigurojnë sukses në punë dhe në jetë
Më të mirët në punën e tyre dinë sesi t’i kontrollojnë ndjenjat, ta motivojnë veten dhe të tjerët, të përshtaten mirë me ndryshimet dhe, mbi të gjitha, që gjithmonë të jenë pozitivë. “Koeficienti i inteligjencës është meritor për vetëm 20% të suksesit, kurse 80% e suksesit mendohet se ka të bëjë me karakteristikat nga sfera e inteligjencës emocionale”, - shpjegon Daniel Goleman, autori i librit “Emotional Inteligency”. Goleman këshillon sesi të arrihet një sukses më i madh në punë dhe në jetë.
Vendosmëria
Është një karakteristikë me të cilën dallohen personat që kanë aftësinë e vendimmarrjes, përzgjedhjes së duhur dhe veprimit në momentin kritik. Ata që kanë frikë të marrin vendime, do të mbesin nën hijen e kolegëve me iniciativë.
Empatia
Nënkupton ndjeshmërinë. Ai që e ka këtë veti, gjithmonë mendon se si do të ndihej ai sikur të ishte në sikletin e dikujt tjetër, kolegut, shefit, apo edhe klientit. Empatia siguron parashikimin dhe njohjen e nevojave, si dhe kuptimin e të tjerëve, e në këtë kuadër, ndihmon edhe në përparimin e tërë punës.
Fleksibiliteti
Punëtorët që përshtaten pa vështirësi, mund të kryejnë punë të ndryshme, të pranojnë caktimin e prioriteteve dhe të gjenden në ndryshimet e mëdha e të shpejta. Lehtë përshtatin taktikën dhe reagimin në bazë të rrethanave.
Humori
Mos e merrni jetën tepër seriozisht, meqë kështu do të kënaqeni më shumë në të. Duhet që herë pas here të bëni shaka në llogari tuaj, gjë që është edhe një karakteristikë e rëndësishme në punë.
Respekti
Punëtorët që kanë këtë veti janë të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit i sjellshëm dhe i kujdesshëm me të gjithë. Personat e tillë nxisin vetëbesim te të tjerët, me çka i ndihmojnë edhe vetes së tyre.
Optimizmi
Gjithmonë priteni rezultatin më të mirë dhe mendoni për aspektet pozitive të situatës. Nëse punëdhënësit tuaj vërejnë optimizmin tuaj, atëherë ata do t’ju duan më shumë.
Toleranca
Njerëzit tolerantë respektojnë të tjerët, që kanë prejardhje dhe kulturë tjetër, kuptojnë dallimet midis njerëzve dhe grupeve. Këtë dallim ata e kuptojnë si përparësi për pasurimin e njohurive dhe përvojave të tyre.
Inteligjenca “punuese”
Planifikimi para veprimit, puna e mençme dhe analizimi, puna efikase dhe përqendrimi në kualitet, e jo kuantitet, është pjesë e inteligjencës së punës, të cilën do të duhej ta kishin të gjithë të punësuarit.
Vetëbesimi
Besimi i patundur në vetvete duhet të bazohet në të kuptuarit logjik të përvojës dhe karakterit personal, gjë që ka shumë rëndësi në punë, por edhe në jetë. Njerëzve u pëlqejnë personat që kanë vetëbesim në vetvete.
Studimet
Puna me stres është e rrezikshme për femrat
Femrat e reja, të cilat bëjnë punë me stres, kanë prirje më të madhe që të vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Sipas studimeve të reja, nga puna stresuese femrat fitojnë shtypje të lartë të gjakut dhe sëmundje të zemrës. Deri më tani është menduar se hormoni estrogjen i mbron femrat nga sëmundjet e zemrës, ndaj të cilave gjithmonë më të prirë kanë qenë meshkujt. Megjithatë, hulumtimet më të reja tregojnë se ky rregull nuk është i saktë. Është vërejtur se puna stresuese sjell me vete edhe mënyrën e keqe të jetesës te femrat si: duhanpirjen, ushqyerjen jo të mirë dhe moslëvizjen. Ndërsa këta, po ashtu, janë faktorë që shtojnë rrezikun për sëmundje. Në veçanti është vërejtur se probleme shëndetësore kanë femrat me moshë ndërmjet 30 dhe 50 vjeç. Ekspertët iu rekomandojnë femrave që kanë punë stresuese që doemos të gjejnë kohë për relaksim deri sa nuk është vonë.
22 Maj 2010