Mashtruesi i liruar nga gjykata Kërkon pasaportën në Prokurori
21/07/2010 Burim Haxhiolli, njëri prej personave që akuzohet nga Prokuroria për mashtrime me shuma të mëdha, është paraqitur pak ditë më parë në organin e akuzës ku i ka kërkuar hetuesve pasaportën e tij, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Duke marrë shkak nga vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili i jepte lirinë Haxhiollit dhe kolegut të tij Valon Kyçykut ai ka shkuar në organin e akuzës dhe ka kërkuar pasaportën, pasi tashmë ishte i lirë dhe se do të udhëtonte në drejtim të Kosovës. Mirëpo kërkesa e tij ndeshi në kundërshtinë e përfaqësuesve të akuzës, të cilët i thanë se Gjykata e Lartë e kishte liruar nga burgu, por vendimi i saj nuk e shpëtonte nga përgjegjësia penale. Lidhur me këtë situatë, personi nën hetim Burim Haxhiolli ka debatuar ashpër me njerëzit e akuzës, të cilët thanë se pasaporta nuk mund ti jepej për shkak se ajo është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Haxhiolli dhe Valon Kyçyku u liruan javën e kaluar nga Gjykata e Lartë, ndaj të cilëve Prokuroria ka ngritur akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha. Dy kosovarët kishin mundur të ngrinin një kompani fantazim, ku nëpërmjet së cilës rekrutonin persona, të cilët për tu bërë pjesë e kompanisë duhet të paguanin 2290 euro secili. Në total kompania kishte mundur të rekrutonte mbi 150 persona.
E.Qyno
E.Qyno