Dëshmitarë në ryshfetin e kolegut, gjyq për moskallëzim krimi mjekëve
TIRANE – Dy mjekë të spitalit Onkologjik në kryeqytet merren të pandehur me akuzën e “moskallëzimit të krimit”, pasi kanë qenë prezentë kur ish-shefi i tyre Agim Karaj ka marrë ryshfet dhe nuk kanë denoncuar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave, Zyra Task-Force Antikorrupsion ka ngritur akuzë për “moskallëzim krimi” ndaj zv/shefit të Onkologjikut dhe një mjeku të këtij spitali. Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës është duke përfunduar hetimet ndaj kirurgut Agim Karaj, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet deri në 50 mijë lekë të reja nga pacientët për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Në një nga rastet e marrjes së parave, sipas hetimeve të Prokurorisë, mbështetur nga prova të shumta dhe dëshmitarë, prezentë bashkë me Agim Karajn kanë qenë edhe zëvendësi i tij si shef i Onkologjikut dhe një mjek tjetër i këtij spitali. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur por prokuroria tha se ata kanë qenë dëshmitarë të një krimi dhe nuk kanë denoncuar. Pasi ka shqyrtuar deklarimet e personave okularë, regjistrimet e fshehta filmike dhe një sërë provash të tjera, Prokuroria ka vendosur të formulojë akuzën ndaj dy mjekëve që kanë parë skenën e korrupsionit të kolegut të tyre. Ata pritet të dërgohen të pandehur në gjykatë bashkë me kirurgun e njohur 58-vjeçarin Agim Karaj. Ai u arrestua nga policia me urdhër të Prokurorisë më 3 nëntor 2008 por më pas gjykatat e lanë në “arrest shtëpie” duke e nxjerrë nga burgu për arsye shëndetësore. Organi i akuzës tha se ka provuar edhe një rast tjetër korrupsioni nga mjeku Agim Karaj veç shumës që ai ka marrë në prani të kolegëve të tij, të cilët janë marrë të pandehur së fundi. tr.so