Mashtruesit te part-time, dyshime edhe për 30 të tjerë
Pas përjashtimit të plot 60 studentëve nga Fakulteti Juridik në sistemin part-time, dyshohen për mashtrim me dokumentet edhe 30 studentë të tjerë. Ata mendohet të jenë regjistruar në mënyrë abuzive në Universitetin Politeknik dhe atë Bujqësor. Këtë pohuan për gazetën burime të sigurta pranë këtyre institucioneve arsimore. Ndërkaq Universiteti i Tiranës nuk do të çojë për ndjekje penale asnjë prej të përjashtuarve. Kjo për të mos u hequr mundësinë për dije dhe penalizuar për këtë çështje. Por drejtuesit e UT nuk përjashtojnë përgjegjësinë ligjore që ka një akt i tillë. Sakaq, po dje është publikuar edhe njoftimi për 60 studentët e rinj që do të mund të regjistrohen nga hapja e vendeve të reja. ”Në vend të personave të çregjistruar, bazuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve në Fakultetin e Drejtësisë, do të regjistrohen për programin e parë të studimit nga emri Zijadin Budo DERI TEK EMRI Ledian Shabani, ndërsa për programin e dytë të studimit nga Vilma Gjana deri te Denis Hita”, thuhet në njoftimin e UT. Sipas tij, këta persona do të regjistrohen duke filluar nga sot deri më datë 23 shkurt. ”Nëqoftëse pas kësaj procedure do të ekzistojnë kuota të parealizuara, ato të plotësohen në datë 24-26 shkurt sipas rendit zbritës të renditjes përfundimtare”, saktëson njoftimi. Në të theksohet se kandidatët duhet të zbatojnë të gjitha kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.