E Diel, 1 Nëntor 2026

Problematika e amendamentit Bushati

Gilman Bakalli 

Para disa ditësh Komisioni i Ligjeve diskutoi mbi një amendament të paraqitur nga deputeti Astrit Bushati, i cili sugjeron një ndryshim në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve nga regjimi komunist, duke kërkuar ta zgjerojë numrin e të afërmve që përfitojnë nga dëmshpërblimi.
Në pamje të parë, gjithçka duket normale: mbi bazën e një logjike që buron nga etika utilitariste (maksimalizimi i së mirës apo i të dobishmes së mundshme për numrin maksimal të mundshëm të njerëzve), një deputet me origjinë nga shtresa e persekutuar nga regjimi komunist kërkon, që nga ky dëmshpërblim, të përfitojë një numër maksimal njerëzish. Pra, të duket se iniciativa e deputetit Bushati duhet përshëndetur dhe përkrahur apriori.
Në gjykimin tim, dy janë arsyet për të cilat deputeti në fjalë nuk duhet përshëndetur, bile duhet këshilluar ta tërheqë iniciativën sa më parë.
Arsyeja e parë është e karakterit formal: koha. Propozimi për amendim vjen në kohën më të keqe të mundshme. Sepse ta propozosh këtë amendim, në momentin kur dukej se gjithçka po finalizohej në favor të ish-të përndjekurve (ishte premtuar që në mars do të fillonte shpërndarja e këstit të parë të dëmshpërblimit), rrezikon ta hedhësh në erë krejt procesin. E rrezikon në këtë moment të gjithë procesin, sepse bëhet fjalë për një amendament, i cili kërkon diskutim po aq të gjerë sa edhe vetë ligji, kërkon vënien në lëvizje të një aparati burokratik që njihet për apatinë e tij proverbiale, kërkon një faturë financiare ndoshta edhe më të madhe se ajo që duhet për të vënë në jetë ligjin aktual, shkurt kërkon disa gjëra, realizimi të cilave lidhet me kohë dhe para.
Arsyeja e dytë: problematik në përmbajtjen e tij. Është i drejtë pretendimi i deputetit Bushati se nipat e mbesat e të pushkatuarave me ose pa gjyq janë persekutuar për veprat apo mendimet e gjyshërve, dajallarëve apo xhaxhallarëve të tyre dhe, se për këtë arsye duhet të përfitojnë nga dëmshpërblimi. Por të njëjtin pretendim për përfitim mund ta ngrenë edhe nipërit dhe mbesat, për shembull, të babait tim, për shkak të të cilit, atyre nuk iu dha e drejta e shkollës së lartë apo për të punuar aty ku kishin dëshirë. Të njëjtin pretendim mund ta ngrenë edhe kushërinj më të largët të të persekutuarit, të cilët mund të jenë përballur me pengesa të ndryshme në shkollimin apo karrierën e tyre. Atëherë ku duhet ta ndalim llogaritjen e atyre individëve, të cilët, për shkak të lidhjes farefisnore me të dënuarin apo pushkatuarin, u persekutuan në forma të ndryshme nga regjimi? Logjika egalitarianiste këtu dështon, sepse është njësoj si të kërkosh të mirën maksimale për të gjithë botën. Dihet që sistemi diktatorial nuk goditi me të njëjtën forcë fëmijët dhe nipat (apo mbesat) e kundërshtarëve të regjimit dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të pretendohet barazi në rrethin e përfituesve nga dëmshpërblimi.
Për këto dy arsye, gjykoj se ligji duhet ta ruajë formën e tij aktuale dhe Ministria e Financave duhet ta hartojë skemën financiare mbi bazën e ligjit aktual dhe të fillojë pa humbur kohë me organizimin e shpërndarjes së dëmshpërblimit, i cila (shpërndarja) edhe sikur nesër të përfundonte do të ishte një drejtësi e vonuar për shtresën më të keqpërdorur nga të gjitha qeveritë, por gjithsesi një drejtësi për t'u përshëndetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›