E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, shpallen datat e provimeve

 

zirina llambro

Maturantët do të mbyllin vitin e fundit shkollor në 22 maj. Më tej, ata do t’u nënshtrohen provimeve me detyrim e atyre me zgjedhje. Ministria e Arsimit në udhëzimin e bërë publik dje, ka përcaktuar datat e këtyre provimeve. Në të është miratuar përfundimisht edhe numri i lëndëve me zgjedhje, i cili me shtimin e gjuhëve të huaja të italishtes, gjermanishtes e spanjishtes shkon në 12 të tilla. Por, gjatë plotësimit të formularit duhet bërë kujdes, që të zgjidhet vetëm një lëndë me zgjedhje gjuhë e huaj. Në të kundërt ai do të shpallet i pavlefshëm. Nga sa përcakton udhëzimi për letërsinë, nxënësit e gjimnazeve do ta japin në 2 qershor, ndërsa matematikën në datë 11 qershor. Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë ata duhet të japin lëndët me zgjedhje më datë 10 korrik. Në udhëzimin e saj veç gjimnazeve, MASH ka përcaktuar datat edhe për profilet e tjera të shkollave të mesme. “Viti mësimor 2008-2009, për vitet e fundit të shkollave të mesme 4-5 vjeçare të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 22 maj, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna. Notat përfundimtare për çdo lëndë të nxirren brenda kësaj date”, thuhet në udhëzimin e ministrisë. Sipas tij, maturantët do të kenë një javë kohë për t’u konsultuar me mësuesit për dy provimet e detyruara. “Në periudhën javore 25–29 maj do të zhvillohen konsultime me të gjithë nxënësit për provimet e matematikës dhe letërsisë”, saktëson udhëzimi. Sa i përket provimeve me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Për të gjithë ata nxënës që rezultojnë mbetës në këto të fundit drejtoritë arsimore duhet të dërgojnë brenda datës 25 maj në Agjencinë e Vlerësimit dhe arritjeve të nxënësve emrat maturantëve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit të shkollave të mesme. Kjo me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Testet e provimeve do të jenë unike për të gjithë nxënësit me përjashtim të atyre të minoritetit grek. Për ta Gjuha dhe Letërsia greke do të kenë një tezë të veçantë nga Drejtoria Arsimore e Gjirokastrës. “Për ndjekjen e provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare, DAR/ZA të angazhojë inspektorët dhe specialistët përkatës sipas profileve”, thuhet në udhëzim. Ndërkohë, nga sot maturantët mund të nisin plotësimin e formularit A1, ku do të caktojnë lëndët që duan të japin si provim me zgjedhje.

Datat për çdo shkollë

1-Në gjimnazet, me kohë të plotë ose të shkurtuar
2-Në shkollat e mesme pedagogjike
3- Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja
Letërsi dhe gjuhë shqipe                                                                02 qershor 2009
Matematikë                                                                                          11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje                                                                         10 korrik 2009
4-Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
Gjuha  dhe letërsia greke                                                               28 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe                                                           02 qershor 2009
Matematikë                                                                                          11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje                                                                            10 korrik 2009
5-Në seksionet dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror):
Gjuhë e huaj                                                                               27 maj  2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe                                                      02 qershor 2009
Matematikë                                                                           11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje                                                                         10 korrik 2009
6-Në shkollat e mesme artistike dhe sportive:
Formimi teorik-praktik profesional                                        28 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë Shqipe                                                               02 qershor 2009
Matematikë                                                                                       11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje                                                                        10 korrik 2009
7-Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe
teknike- profesionale 5- vjeçare dhe 3+2- vjeçare:
Formimi teorik-praktik profesional                  28 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe                                                   02 qershor 2009
Matematikë                                                                         11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje                                                        10 korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›