Ngacmoi gruan, ekzekutohet taksisti
TROPOJE
Ekzekutohet taksisti tropojan, e akuzuan për ngacmimin e nuses. Dy vëllezër u arrestuan dje, dy ditë pas vrasjes dhe zhdukjes së trupit të 37-vjeçarit Avni Sinani. Krimi makabër ndodhi në Tropojë më 17 shkurt, por vetëm dje u zbulua se Sinani ishte torturuar, vrarë e më pas hedhur në afërsi të urës së Drinit të Bardhë. Pohimin që ndihmoi në gjetjen e trupit e bënë vetë autorët, Jetmir dhe Granit Papaj, 23 dhe 17 vjeç. Për të humbur gjurmët e krimit ata kishin futur trupin e pajetë në bagazhin e taksisë, kanë udhëtuar me të mes përmes fshatrave për 70 km, për të përfunduar në afërsi të Kukësit, ku dhe e kanë hedhur. Aty i kanë vënë flakën makinës, me qëllim humbjen e gjurmëve. Në pranga veç dy vëllezërve u vunë dje dhe babai i djemve e nusja e vëllait të madh, “sebepi” i sherrit që shkaktoi vrasjen.
Vrasja
Familjarët e Avni Sinanit kishin denoncuar humbjen e taksistit prej të martës, pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi. Fatin e tij nuk e kanë ditur, derisa dje u gjet taksia e djegur, në afërsi të rrugës nacionale që lidh Kukësin me Krumën. Policia ka nisur menjëherë kërkimet, duke gjetur brenda makinës “Benz”, të cilat çuan fillimisht te Granit Papaj, banor i fshatit Tëplan në komunën e Fierzës. Adoleshenti, pjesëmarrës në krim, ka hedhur dritë mbi skenarin e asaj që kishte ndodhur, duke konfirmuar se bashkë me të vëllain kishte vrarë taksistin 37-vjeçar. Ai ka rrëfyer para grupit hetimor, se me të vëllain, Jetmirin, i kishin kërkuar viktimës t’i dërgonte me taksinë e tij nga Bajram Curri në fshatin e tyre, Tëplan. Gjithë rruga ka ecur normalisht dhe dy vëllezërit nuk i kanë dhënë asnjë shenjë viktimës që ai të dyshonte për planin e tyre. Sapo kanë arritur në fshat i kanë kërkuar që të vazhdojë dhe 400 m deri tek shtëpia ku do merrnin gruan e Jetmirit. Kur gruaja ka dalë nga shtëpia, dy vëllezërit kanë nisur t’i kërkojnë llogari Sinanit pse i kishte ngacmuar gruan Jetmirit. I pari që e ka goditur me grusht në fytyrë ishte Graniti, ndërsa i vëllai e ka qëlluar pas koke me bishtin e një kazme. Goditja ka qenë fatale për Sinanin, i cili është qëlluar dhe 2 herë të tjera në shpatull. Menjëherë vrasësit kanë synuar të zhdukin provat e ngjarjes.
Zhdukja e taksistit
Sipas dëshmisë së dhënë nga autorët gjatë natës kufomën e kanë mbajtur në bagazhin e makinës. Të enjten në mëngjes, me viktimën në makinë ata mësohet se kanë lëvizur për kilometra të tërë, duke iu afruar Kukësit. Rreth 2 km pa mbërritur në këtë qytet kanë zbritur. Trupin e viktimës e kanë hedhur në afërsi të urës së Drinit të Bardhë, ndërsa makinës i vunë flakën për të humbur gjurmët. Agresorët nuk kanë mundur ta hedhin në liqenin e Kukësit, pasi trupi i viktimës ka ngecur në shpatin e malit, pak metra pa rënë në liqen, ku do humbiste ndoshta përfundimisht. Duket se vrasësit kanë pasur frikë të futen në urë, për të mos u identifikuar, duke e braktisur kufomën rreth 50 metra nën rrugën nacionale. Policia kapi të parin adoleshentin, ndërsa i vëllai 23-vjeçar ishte fshehur te njerëzit e gruas së tij, në fshatin Letaj të Hasit. Ngjarja e rëndë alarmoi policinë e të gjithë Qarkut të Kukësit, ndërsa gjatë ditës së djeshme mbërritën në zonë dhe forcat speciale me helikopter. Arrestimi i autorit të dytë u mundësua nga policia e Tropojës, pas një aksioni që zgjati disa orë, në një terren tepër të vështirë e të mbuluar nga bora. Vetëm atëherë u arrit që të zbardhej fati i taksistit. Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, forca të shumta policore gjetën nën urë trupin e viktimës.
Policia: Taksisti vdiq nga goditja
Nga këqyrja e parë e viktimës janë konstatuar dhe goditjet e marra në kokën e trupin e Avni Sinanit. Burime të policisë së Tropojës bëjnë të ditur se 37-vjeçari kishte vdekur nga goditjet e forta. Viktima ishte baba i dy fëmijëve, lindur dhe banues në fshatin Gri të Tropojës. Mendohet se autorët nuk kanë pasur qëllim ta vrisnin, por goditjet kanë qenë vdekjeprurëse për Sinanin. Ngjarja e rëndë ka tronditur banorët e Tropojës e më gjerë, për mënyrën e ekzekutimit.