E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agro-populizëm me gjethe ulliri

Edmond Panariti 

Në fund të vitit që shkoi, homologu maqedonas i ministrit tonë të Bujqësisë doli para publikut dhe deklaroi se e kishte paguar qindarkë për qindarkë të gjithë shumën prej 45 milionë eurosh që u pati premtuar fermerëve dhe agrobiznesit të vendit të tij për vitin 2008.
Përfituesit e këtyre pagesave, sipas anëtarit të qeverisë të vendit fqinj, ishin plot 70.000 fermerë dhe mbi 470 firma agrobiznesi. Bëni kurajë, vazhdoi më tej ministri maqedonas, se për vitin që vjen ju premtoj se do t'ju paguaj dy herë më shumë se kaq.
Por ndryshe nga fqinji i juglindjes, vitin që u mbyll ministri ynë as që e mori mundimin të na sqaronte se cilët dhe sa ishin përfituesit e subvencioneve të parashikuara në programin e tij qeverisës për bujqësinë.
Bie fjala nuk e mësuam kurrë se sa bujq, sera me ngrohje dhe peshkatarë përfituan nga nafta 40 lekëshe për litër e premtuar "bujarisht" në fushatë. Gjithashtu nuk e patëm rastin të marrim vesh se sa prodhues përfituan nga rimbursimi i premtuar në masën 6% të tatimit mbi vlerën e shtuar për njësi prodhimesh bujqësore të shitura. Mjerisht, asnjë fjalë e asnjë numër nuk filtroi nga statistikat për paratë e premtuara për dynym pemishte apo krerë lopë qumështi.
Shkurt, nuk dihet se sa dhe si u harxhuan fondet e pagesave mbështetëse për bujqësinë, të cilat për hir të së vërtetës edhe aq sa qenë premtuar, ishin 5 herë më pak se fondet që përfitoi bujqësia e fqinjit tonë më të vogël.
Por ajo që duket sheshit është se mbështetja me fonde për bujqësinë te ne, nuk është as në standardet e vendeve afrikane, sepse megjithëse bujqësia zë rreth 21% në prodhimin e përgjithshëm të vendit, për fat të keq ajo vazhdon të diskriminohet në mënyrën më poshtëruese, duke marrë vetëm 0.5% të tij. Mjaft të përmendim se Moldavia si vendi më i varfër i Europës, i jep asaj 10 herë më tepër se ne.
Por ajo që të trishton dhe revolton më shumë është fiktiviteti i skemave financuese në bujqësi dhe rrjedhja e atyre pak fondeve mjerane nëpër brazda dhe kanale klienteliste.
Në të gjithë këtë histori, Ministria e Bujqësisë dëshmoi se jo vetëm nuk ka mundur, por as nuk ka ditur se ç'të bëjë me ato fonde të pakta të buxhetit që ka patur në përdorim. Për të justifikuar këtë "ngërç", asaj i është dashur që taktikisht në mënyrë periodike t'i rishohë skemat e financimeve dhe të shpallë variante të reja pagesash, si në mes ashtu edhe në fund të mandatit qeverisës.
Kështu, pa asnjë hezitim ajo u tërhoq nga premtimi i bujshëm për mbulimin e diferencës së çmimit të deklaruar fiks prej 40 lekësh për litër naftë të trumbetuar aq fuqishëm në fushatë për mekanikën bujqësore. Njësoj si edhe paraardhësit e tyre socialistë në pushtet, demokratët bënë kujdes që zbatimit të kësaj skeme t'i qepnim një kostum populist. Ky kostum do t'u vishej komunave dhe komunarëve që do të administronin dhe shpërndanin në mënyrë të "përzgjedhur" tallonat me naftë "badihava". Në thelb ky ishte një shtrembërim spektatolar i rregullave të tregut, i cili për më tepër prekte naftën, e cila përbën një input që nuk ka dhe nuk mund të ketë për destinacion vetëm bujqësinë.
Aq me pasion dhe zell e mori ministri zbatimin e kësaj skeme, sa e nisi punën duke hedhur në erë me akuza korrupsioni, një projekt të tërë me fonde nga donatorë të huaj, i cili vepronte prej kohësh në këtë fushë. Por entuziazmit dhe inercisë së fillimit, shumë shpejt ia la vendin dështimi dhe zhgënjimi. Kjo e detyroi qeverinë dhe ministrinë të vrisnin mendjen për të gjetur një strategji "dalje" nga situata.
Për këtë si fillim qeveria u tërhoq pa zhurmë nga shpërndarja populiste e tallonave për bujqit, por megjithatë sa për sy e faqe deklaroi se do ta vazhdonte subvencionin me karburant për serat me ngrohje dhe për peshkimin. Por për ta pamundësuar kryerjen e këtyre pagesave, ajo iu vuri të dy sektorëve kushte aq të rënda sa që i la ata praktikisht "në tako". Kjo, sepse befas, serave me ngrohje dikasteri u vuri kusht ndryshimin e teknologjisë së ngrohjes nga ajo me naftë në atë me mazut, ndërsa peshkatarët i ftoi që të dilnin njëherë me barka në det për të peshkuar me naftë të blerë shtrenjtë për t'ua kthyer "kusurin" vetëm nëse arrinin ta kapnin dhe ta shisnin peshkun përkundrejt faturës. Në këtë mënyrë blofi funksionoi sipas motos: "E pe, e pashë, zëre se ta dhashë".
Pa u shuar ende jehona dhe aroma e naftës "duty free", dy ministra të qeverisë sonë, ai i Financave dhe ai i Bujqësisë shpallën një manovër tjetër fiskale me impakt "populist", atë të rimbursimit në masën 6% të tatimit mbi vlerën e shtuar për prodhimet bujqësore të dorëzuara tek agrobizneset. Kjo masë u trumbetua si "çelësi magjik", i cili do të hapte dyert e agro-përpunimit për prodhimet e vendit të diskriminuara rëndë nga lënda e parë e importit. Por pas rreth një viti nga shpallja e skemës, qeveria deklaroi se ishte e detyruar ta rishihte atë për shkak të gjoja shkallës së lartë të abuzimit nga ana e agro-përpunuesve. Sipas skemës së re të riformatuar, tashmë rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar do t'i bëhej drejtpërdrejt fermerit përkundrejt dorëzimit të faturës së shitjes tek organet përkatëse. Kjo ishte një "gjepur" e radhës e sheqerosur me sherbet populist dhe mediatik, por që nuk kishte asnjë shans suksesi praktik. Përfytyroni një çast fshatarin shqiptar, i cili me një gomar të ngarkuar me rrush, mes pluhurit dhe baltës i drejtohet pikave "virtuale" të grumbullimit të frutave, ku pasi peshon dhe dorëzon koshat, pajiset me faturë shitje. I lodhur nga dita e gjatë, ai e palos me kujdes faturën dhe kthehet me nge në fshat. Nesër e pret një ditë e gjatë dhe e lodhshme, kur do t'i duhet të marrë sërish rrugën për në qytet pranë zyrave të tatimores për të dorëzuar faturën dhe për të aplikuar për rimbursim.
Afër dy vjet pas lëshimit të kësaj tullumbaceje, tashmë ajo ka plasur dhe askush nuk e beson dhe as e kujton më.
Epilogun e "shpikjeve" të skemave subvencionuese e përmbyll pagesa e premtuar për zgjerim sipërfaqesh të kultivuara me pemishte, apo për lopë qumështi. Kjo skemë, e cila ecën diametralisht kundër rekomandimeve të Bashkimit Europian, të cilat nuk i mbështetin pagesat për sipërfaqe të kultivuara apo krerë të mbarështuar, bëri që të treteshin në ujërat e ndotura të  kanaleve "okulte" të klientelës politike edhe ato pak fonde pagesash të mbetura.
Por këtij kalvari "ruletash" mashtruese agro-financiare i mungonte    një kurorë. Jo një kurorë dosido, por një kurorë me degë dhe gjethe ulliri prej Çezari triumfator. Degët e kurorës së triumfit do të gjelbërojnë nga gjethet e 20 milionë rrënjëve ullinj të planit futuristik "Mijëvjeçari i Artë" të bujqësisë jeminiane dhe berishiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›