E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, si u ekzekutua mjeku Behar Kastrati

 

Në korrik të vitit 2005, mjeku i qytetit të Hasit e njëkohësisht kreu i PD-së së rrethit, Behar Kastrati u zhduk për t’u gjetur i pajetë 40 ditë më vonë. Kastrati u rrëmbye në mes të qytetit nga disa persona, ndërsa policia arrestoi me akuzën e hakmarrjes dy vëllezër dhe një person të tretë si bashkëpunëtor. Ngjarja e rëndë tronditi të gjithë Hasin, pasi fati i Kastratit nuk u mësua deri 40 ditë më vonë. Ai u gjet në ujë, i lidhur në një shtyllë betoni, nën urën e fshatit Kolsh. Ndonëse asnjëherë nuk e pranuan akuzën për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Kastratit, dy vëllezërit Qamil e Abedin Rexha dolën para trupit gjykues, duke marrë dënime maksimale. Për Qamil Rexhën gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm, për Abedin Rexhën 25 vjet heqje lirie, ndërsa për Ibrahim Gecin 20 vjet burg. Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Rexha e kanë rrëmbyer Behar Kastratin, i cili ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike në Rrethin e Hasit, në bashkëpunim me Ibrahim Gecin. Rrëmbimi është kryer në 7 korrik të këtij viti, 2 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Organi i akuzës pretendonte se rrëmbimi ishte realizuar, ngaqë vëllezërit Rexha e fajësonin mjekun për vdekjen e vëllait të tyre Gani Rexha në vitin 1995, në një ditë kur ai kishte qenë mjek roje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›