E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla, si hoqën dorë nga kërkesat për Reformën Zgjedhore

Çfarë ndodhi me deklaratën për reformën zgjedhore, të nënshkruar në muajin shkurt. Partitë e vogla parlamentare, tashmë të destinuara të rreshtohen në koalicionet e PS-së dhe të PD-së

Shaban Sulçe

Kur në shkurt të vitit 2008 Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dhanë sinjalet e para të konsensusit për të bashkëpunuar për realizimin e reformës zgjedhore, për partitë e vogla parlamentare u ndezën sinjalet e alarmit. Sistemi zgjedhor, i propozuar nga dy partitë kryesore, kërcënonte ekzistencën e shumicës së partive të vogla në Parlament në zgjedhjet e ardhshme. Duke hasur rrezikun e dëmtimit nga kjo marrëveshje për Reformën Zgjedhore, partitë e vogla parlamentare u organizuan në një lëvizje kundërshtuese ndaj dy partive kryesore. Përfaqësuesit e 10 partive të vogla parlamentare, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, ranë dakord për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët për reformën zgjedhore. Në këtë deklaratë ata paraqitën disa qëndrime, të cilat i quanin kushte thelbësore për përmbajtjen dhe realizimin e Reformës Zgjedhore. Por miratimi në Kuvend i sistemit proporcional rajonal bëri që ky rebelim i partive të vogla të mbetej vetëm në letër. Sot, 6 muaj më vonë, shumica e partive parlamentare, nënshkruese të kësaj deklarate, duket se e kanë harruar plotësisht atë. Asnjë prej kërkesave të tyre nuk është plotësuar, ndërsa 8 prej këtyre partive kanë nxituar të rreshtohen në dy koalicionet që do të drejtohen nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Deklarata
Gazeta “Albania” zbardh sot deklaratën zgjedhore të përfaqësuesve të 10 partive të vogla parlamentare, të nënshkruar në fund të muajit shkurt të këtij viti. Përfaqësuesit e Partisë Republikane, Partisë Social-Demokrate, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Agrare Ambientaliste, Aleancës Demokratike, Partisë Demokrate të Re, Partisë Demokracia Sociale, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Demokristiane dhe Partisë Bashkimi Liberal Demokrat ishin nënshkruese të kësaj deklarate. Midis të tjerash, ata kërkonin përzgjedhjen e sistemit proporcional të personalizuar. Sipas partive nënshkruese, nëse do të përzgjidhej ky sistem, nëse do të votohej me votë të unifikuar, me një raund, me tavan të hapur, me lista të hapura dhe me prag elektoral 2.5% në zgjedhjet e ardhshme do të shmangej fenomeni i Dushkut. Partitë e vogla parlamentare kundërshtonin me çdo kusht sistemin proporcional rajonal, duke e cilësuar atë si nxitës të fenomenit deformues të Dushkut.

Koalicionet

Aktualisht shumica e partive të vogla parlamentare, të cilat nënshkruan deklaratën për reformën zgjedhore, duket se e kanë harruar përmbajtjen e saj, apo faktin se e kanë nënshkruar atë. Si partitë e djathta, ashtu edhe ato të majta, të kërcënuara nga mbijetesa në zgjedhjet e ardhshme, kanë pranuar që t’u nënshtrohen partive kryesore, duke mbështetur opsionin për t’u rreshtuar në koalicionet që do të drejtohen nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Kështu Partia Social Demokrate dhe Partia Demokracia Sociale kanë rënë dakord për të qenë pjesë e koalicionit të përbërë të drejtuar nga Partia Socialiste. E njëjta situatë ndodh edhe në kampin e djathtë, ku të gjitha partitë e vogla parlamentare të së djathtës kanë rënë dakord për t’u rreshtuar në koalicionin që do të drejtohet nga Partia Demokratike. Partia Republikane, Partia Agrare, Partia Bashkimi Liberal Demokrat dhe PBDNJ-ja kanë pranuar ofertën për të qenë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD-ja. Këtij koalicioni duket se do t’i bashkohet edhe Partia Aleanca Demokratike, ndërkohë që Partia Demokrate e Re ka avancuar edhe më shumë në këtë drejtim, duke pranuar që të shkrihet me Partinë Demokratike. Përjashtim duket se ka bërë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është e vendosur ta çojë deri në fund sfidën e saj kundër dy partive kryesore, PS dhe PD. LSI-ja tashmë do të udhëheqë koalicionin “E majta për integrim” dhe objektivi i saj do të jetë fitorja e zgjedhjeve të ardhshme. Por surpriza në kampin e djathtë është Partia Demokristiane, e cila nuk është tërhequr nga rebelimi i saj kundrejt PD-së dhe pritet edhe ajo që të shfaqet e vetme në zgjedhjet e ardhshme.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›