'Maska' dhe grabitje, PS: Qeveria është e paaftë të mbrojë qytetarët
TIRANË- Duke kujtuar ngjarjet e ndodhura së fundi, rikthimin e maskave dhe grabitjet e ndryshme, Partia Socialiste ka deklaruar sot se siguria në vend është zero dhe i ka bërë apel qeverisë të marrë masat e nevojshme.
Mesazhi është përcjellë sot nga deputeti i qarkut Kukës, Asllan Dogjani, i cili në komunikimin me mediat ka ngritur shqetësim për sigurinë në vend ku janë rikthyer maskat, grabitjet me armë me pasojë vdekjen, apo vjedhjet e banesave dhe qytetarëve në rrugë.
"Situata e krijuar kohët e fundit ku janë shtuar dukshëm vjedhjet me armë në rrugë, grabitjet e banesave, biznesmenëve, bankave, pikave të karburantit, pensionistëve u janë grabitur paratë,vjedhjet e xhepave në autobuzë, të cantave, të sendeve të qytetarëve, sidomos grave në Tiranë, pa përmendur krimin e organizuar, trafikun e drogës, klandestinëve apo aksidentet e përditshme e të shumta automobilistike me pasoja në njerëz, ngre pikëpyetje të mëdha për mungesën e sigurisë në vend"- ka thënë ai.
Dogjani ka theksuar se paralajmërimi i Ambasadorit të OSBE Robert Boch se kriza ekonomike e cila ka prekur Shqipërinë do të sjellë rritjen e varfërisë në vend, do të shtojë kriminalitetin dhe do të përkeqësojë sigurinë e qytetarëve ka rënë në vesh të shurdhët.
Ai i ka quajtur parade suksesesh deklaratat e Ministrit të Brendshëm në vend që të marrë masa për parandalimin e goditjen e këtyre grupeve apo individëve që cenojnë cdo ditë jetën, sigurinë, pronën e qytetarëve.
"Si mund të flitet për siguri ku vetëm gjatë muajit Dhjetor në mes të ditës, në mes të qytetit të Korcës kanë ndodhur 6 grabitje me armë e maska, ku janë plagosur qytetarë apo punonjës në krye të detyrës"- tha ai, duke numëruar ngjarjet e ndodhura së fundi.
Sipas tij, askush nuk është i sigurt në këtë vend nëse nuk është pjesë e pushtetit dhe oborrit, ndërkohë që qeveria është e paaftë të sigurojë jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.
****
Rikthehen 'maskat', grabitet një furgon me pasagjerë në Mat
MAT- Persona të maskuar e të armatosur kanë grabitur nën kërcënimin e armëve një furgon me pasagjerë. Ngjarja ka ndodhur sot në afërsi të rrugës Vig të Matit.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se pre e grabitësve me maska ka rënë furgoni me targa TR 2092 T i linjës Selishtë- Tiranë, i mbushur plot me pasagjerë.
Grabitësit kanë kërcënuar fillimisht drejtuesin e mjetit dhe e kanë detyruar të ndalojë. Më pas kanë hyrë brenda furgonit dhe kanë terrorizuar pasagjerët, duke i kërkuar të dorëzojnë sendet me vlerë dhe paratë që kanë pasur me vete.
Pas kësaj janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që policia që ka mbërritur pas denoncimit të pasagjerëve ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.