Përmbytjet, deputetët e PS në Shkodër e Lezhë
Ndërkohë që situata nga përmbytjet vazhdon të jetë shumë kritike, deputetet socialistë kanë qenë edhe sot në terren. Sipas selisë rozë, deputetët e qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja dhe Astrit Beci, kanë ndjekur nga afër situatën në komunën e Anës së Malit, ku situata sa vjen e përkeqësohet.
Përvç Obotit janë përmbytur pjesërisht dhe tre fshatra të tjerë, Xhakaj, Kurt dhe Goricë. "Niveli i ujit ndërkohë po rritet", raportojnë nga terreni deputetët e këtij qarku.
Ndërsa deputeti i Lezhës Gjovalin Kadeli ka qenë në Tale dhe në Shëngjin. Situata në këto zona me reshjet e sotme ka krijuar sërish problematikë, por jo emergjencë. Dëmet materiale në këto dy zona janë të mëdha pasi janë përmbytur mjaft shtëpi.
Deputeti i PS-së, Kadeli në bashkëbisedim me banorët e dëmtuar është shprehur se opozita është solidarizuar me shqetësimin e tyre dhe do bëjë gjithë presionin e duhur ndaj qeverisë që premtimet këtë herë mos mbeten vetëm në ekranet e televizioneve, por banorët e Tales dhe të Shëngjinit të dëmshpërblehen financiarisht.