E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 800 mijë lekë në bankë

TIRANE - Grabiten me armë dhe me maska 800 mijë lekë nga filiali i Bankës Kombëtare të Greqisë në autostradë. 

Autorët kërcënojnë një prej punonjësve të bankës, ndërsa tentonte të shtypte butonin e alarmit. Policia e komisariatit nr.6, shoqëron në ambientet e saj më tepër se 12 persona të dyshuar. Ata janë pyetur nga specialistët e krimeve dhe janë vënë në dispozicion të hetuesve të grabitjeve me armë. Oficerët e kësaj zyre gjithashtu kanë pyetur më tepër se tetë punonjës të subjektit të dëmtuar, me qëllim identifikimin e autorëve të krimit. Ekspertët kanë administruar në vendin e ngjarjes, gjurmë gishtërinjsh, si dhe kasetat filmike të bankës, me qëllim zbulimin e autorëve të krimit. Dyshimet e policisë së komisariatit nr.6, janë se autorët mund të jenë banorë të zonës së Kasharit, apo edhe të huaj, që kanë mbërritur në zonë pikërisht për të kryer krimin. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:00. Dy persona të maskuar kanë zbritur nga një automjet pa targa dhe kanë mundur të neutralizojnë një roje të armatosur, të një shoqërie të policisë private. Autorët e maskuar, njëri i armatosur me një “Kallashnikov” dhe tjetri me një shkop bejsbolli kanë hyrë në ambientet e bankës. Menjëherë kanë kërkuar paratë nga arka, duke kërcënuar punonjësit e sportelit dhe të arkës. Një punonjëse e bankës është shtyrë nga personi me shkop bejsbolli dhe është kërcënuar, ndërsa ajo po tentonte të shtypte butonin e alarmit. Autorët e krimit s’i kanë marrë paratë që besohet se kanë qenë rreth 800 mijë lekë të reja të futura në një qese. Më pas autorët janë larguar bashkë me to dhe sërish kanë marrë mjetin pa targa të parkuar përpara derës së bankës. Zyrtarë të bankës thanë se, asnjë prej punonjësve të tyre nuk është dëmtuar, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar gjithçka. Sipas tyre, policia po heton për zbardhjen e krimit. Blutë e komisariatit nr.6 kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë administruar kasetat e regjistruara dhe gjurmë gishtërinjsh. Nga pamja e kasetave, duket qartë që dy persona të maskuar me trup mesatar kanë mbërritur dhe hyrë në bankë me shpejtësi. Sakaq patrullat e komisariatit nr.6 dhe oficerët e krimeve, kanë kryer disa shoqërime të personave të ndryshëm të dyshuar dhe dëshmitarëve. Ata më pas janë lënë të lirë nga policia pasi janë marrë në pyetje, ndërsa blutë pohuan se, kanë marrë informacione të vlefshme për ngjarjen.          d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›