E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëhelmohet nëna e katër fëmijëve se i vdiq vjehrra

Nuk ka përballuar dot depresionin për vdekjen e vjehrrës, ndaj i jep fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë. 

MALLAKASTER/ MAJLINDA RAMA

Ngjarja ndodhi dje në fshatin Hekal të Mallakastrës, kur 45-vjeçarja Zydie Iliazi, nënë e katër fëmijëve, është gjetur nga të afërmit e saj në banesë teksa jepte shpirt. Pas varrimit të gjyshes së shtëpisë, familja Iliazi tashmë po përjeton mortin e dytë në shtëpinë e tyre. Gruaja mësohet se është vetëflijuar, ndërsa familja dhe të afërmit e tjerë ishin larguar nga banesa për të varrosur të moshuarën. “Nuk ndjehem mirë. Shkoni ju, unë do të qëndroj në shtëpi”, mësohet t’u ketë thënë 45-vjeçarja familjarëve të saj. Ndërsa ata kanë shkuar në varreza, viktima ka pirë fostoksinë. Të afërmit e saj e kanë gjetur në banesë në gjendje të rëndë. Ata e kanë nisur për në spital, por me gjithë ndihmën e mjekëve, nëna e katër fëmijëve nuk ka mundur të rezistojë. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, rezultoi se viktima kishte konsumuar tre kokrra fostoksinë. Për këtë ngjarje u sinjalizua edhe policia, e cila mori në pyetje familjarët dhe të afërmit e saj. Nga deklarimet e marra, blutë konfirmuan se gruaja vuante prej dy vitesh nga depresioni, e madje për këtë edhe ishte kuruar. Mësohet se ajo kishte pasur marrëdhënie shumë të mira me vjehrrën, që ndërroi jetë dy ditë më parë. Burime të policisë thanë se shkak i konsumimit të kokrrave të fostoksinës dyshohet të jetë depresioni. Të njëjtat burime shtuan se ky depresion mund të jetë motivuar nga mërzitja e tepërt për vdekjen e vjehrrës. Gjithashtu, dyshohet se një shkak tjetër, që ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së 45-vjeçares të jetë bërë edhe e qara e grave dhe njerëzit e shumtë, që kanë vizituar familjen për vakinë, të cilat gruaja nuk ka mundur t’i durojë. Mjeku toksikolog Kilo Stoja u shpreh se “45-vjeçarja Zydie Iliazi ka ndërruar jetë pasi ka konsumuar fostoksinë. Ajo ka mbërritur në spital kur helmi kishte vepruar dhe ishte përhapur në të gjithë trupin. Nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi, edhe pse ne bëmë të pamundurën”, tha mjeku Stoja. E ndërsa familjarët tashmë vajtojnë vdekjen e gjyshes së shtëpisë, një ditë pas saj, do të varrosin pranë vjehrrës edhe Zydien, e cila u vetëflijua pikërisht për shkak të depresionit nga kjo vdekje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›