E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin me armë pikën e lotarive sportive

Tre persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur një pikë lotarie sportive në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para mesnatës së të së dielës, pikërisht në zonën e Laprakës, pranë Rrugës së Durrësit. Dy punonjësit, që ishin bërë gati për të mbyllur lokalin e lojërave të fatit, kur kishin ikur gjithë klientët, pasi kishin mbaruar edhe ndeshjet e futbollit, janë përballur me tytën e armëve dhe të ndier nën kërcënim kanë dhënë gjithë paratë e xhiros. Pas kësaj, autorët janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që është njoftuar policia e kryeqytetit, që pa kaluar shumë kohë ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Burimet policore bënë të ditur se dy punonjësit e lokalit me lotari sportive "Relax", kanë deklaruar se shënonte ora 23:30, kur tre persona me maska dhe me armë kanë hyrë brenda. Ata, sapo kishin bërë bilancin e ditës, që ishte rreth 4 mijë euro dhe kishin marrë paratë me vete. Në atë kohë, i kanë telefonuar një furgoni që do vinte dhe t‘i merrte kur janë përballur me grabitësit. Pa thënë shumë fjalë, ata u kanë kërkuar paratë punonjësve të lokalit në pronësi të Dilaver Tafës dhe i kanë kërcënuar se përndryshe do t‘i vrisnin. Në këtë situatë, ata kanë dorëzuar çantën me para. Nisur nga këto shpjegime, grupi hetimor i përbërë nga seksioni i grabitjeve me armë dhe shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë nisur punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sipas të dhënave, hetimet janë shtrirë në dy pista. Një ka qenë ajo e grabitjes me armë nga klientë, të cilët kanë lënë paratë nga bastet sportive dhe tjetra për ndonjë vjedhje të mundshme nga vetë punonjësit. Të dyja pistat po ndiqen paralelisht nga grupi hetimor, ndërkohë që janë shoqëruar edhe vetë punonjësit, të cilët kanë bërë denoncimin e ngjarjes së rëndë. Pas 24 orëve, policia e kryeqytetit ka deklaruar se ka identifikuar autorët e dyshuar të kësaj grabitjeje, duke shtuar se gjatë natës edhe mund të shoqërohen. Pikërisht mbrëmjen e djeshme, grupi i punës ka mundur të zbërthejë mekanizmin e grabitjes dhe të plotësojë dosjen, duke bashkëpunuar edhe me Prokurorinë e Tiranës. Sipas policisë, dyshimet kryesore janë se grabitja ka ndodhur nga klientë të lokalit me baste sportive, por ende nuk është konfirmuar nëse ka pasur bashkëpunim me persona të brendshëm. Gjatë ditëve në vijim pritet arrestimi dhe zbulimi i të gjithë mekanizmit. Prej kohësh, në zonën e Laprakës nuk kishin ndodhur ngjarje të rënda, por ajo e mesnatës së të dielës ka shqetësuar edhe banorët e zonës për sigurinë gjatë orëve të natës.

Ble.Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›