E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabitin një lokal nën kërcënimin e armës

FIER/ Dy të rinj të maskuar me kokore janë futur në lokal rreth orës 4:00 të mëngjesit


FIER - Vidhet në orët e para të mëngjesit një lokal lojërash fati në një lagje të qytetit të Fierit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit duke u gdhirë dita e hënë. Pas ngjarjes, nga një telefonatë është njoftuar Salla Operative e policisë. Shtetasi që ka marrë në telefon oficerët e kësaj salle ka dhënë informacionin dhe vendin për vjedhjen e këtij lokali në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Fierit.


Me marrjen e njoftimit, strukturat e Drejtorisë Policisë së Qarkut Fier shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se në lokalin e lojërave të fatit të shtetasit me inicialet S.M. i cili ishte i hapur në këtë orë, janë futur dy persona rreth moshës 25 vjeç të maskuar me kokore.


Sipas policisë, të dy personat gjatë kësaj vjedhjeje kanë përdorur edhe armë zjarri. Me këtë armë ata kanë kërcënuar punonjësin, shtetasin Ervis T., i cili në momentin që ka ndodhur vjedhja ka qenë i vetëm në lokal.


Ata i kanë kërkuar punëtorit që të hapte kasafortën dhe t'iu jepte lekët. Personat deri tani të paidentifikuar nga policia, kanë kontrolluar kasafortën ku mbaheshin paratë, por janë zhgënjyer, pasi ajo ka qenë bosh. Në këto kushte, ata kanë dhunuar punonjësin e lokalit duke e qëlluar me grushta në fytyrë.


Gjatë goditjes në pjesët e trupit ata kanë konstatuar se në brez ai kishte një portofol. Pas kontrollit të ushtruar sipas deklaratës së dëmtuarit, ata i kanë marrë 700 mijë lekë të vjetra dhe më pas janë larguar. Nga ana e strukturave të policisë së Qarkut Fier po punohet në mënyrë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›