E Diel, 1 Nëntor 2026

Grindja për shoqen, dy adoleshentë në spital

SHERRI/ Policia ka vënë në pranga 19-vjeçarin Domeniko Kumbria nga Elbasani, i cili akuzohet për "plagosje të rëndë me dashje"


KORÇË - Kanë përfunduar në spital dy adoleshentë pas grindjes me një "mysafir" të qytetit të tyre. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Bilishtit gjatë mbrëmjes së të dilës. Sipas burimeve nga policia mësohet se shtetasi 19-vjeçar Domeniko Kumbria nga Elbasani, kishte shkuar tek të afërmit e tij për vizitë, ndërkohë që është konfliktuar me dy 18-vjeçarë nga qyteza. Grindja ka ndodhur pas një debati që kanë pasur në një lokal në qendër të qytetit.


Ngjarja


Duke iu referuar burimeve të policisë lokale mësohet se protagonist i ngjarjes ka qenë Kumbria, i cili megjithëse ishte mysafir në Bilisht, ka shkaktuar dhe përgjakjen. Shkak i kësaj grindjeje që ka degjeneruar në përdorim të mjeteve të mprehta mësohet të jetë bërë një vajzë të cilën ngacmonte elbasanasi, por që ishte shoqe e njërit prej dy adoleshentëve nga Bilishti.


Si rrjedhojë, një gjë e tillë ka shkaktuar edhe përplasje mes tre të rinjve, Kumbria, J. Serti dhe E.Çollaku. Nën efektin e alkoolit që kishin konsumuar, adoleshentët janë përfshirë në një debat që më pas ka precipituar në një konflikt të fortë. Shtetasi Domeniko Kumbria, sipas të dhënave të policisë së Korçës, ka përdorur një levë hekuri dhe thikë me të cilat ka lënë të plagosur të dy 18-vjeçarët. Por dhe këta të fundit kanë tentuar t'i shkaktojnë dëmtime të ardhurit, por nuk kanë mundur.


Dy të rinjtë kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bilishtit dhe më pas janë transportuar për në atë të Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq policia e cila ka nisur hetimin e ngjarjes ka arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin nga Elbasani, i cili akuzohet për "plagosje të rëndë me dashje". Ngjarja ka tronditur jo pak banorët e Bilishtit, ndërkohë që përgjakja për paksa nuk ka sjellë një tragjedi me përmasa.


Rastet


Por ndërsa dy të plagosurit janë duke u kuruar në spital, dy ditë më pare, dy të rinj të tjerë në dy ngjarje të ndryshme kanë mbetur të plagosur si shkak i grindjeve për motive të dobëta. Shtetasi Remzi Koçiasi, bëjnë të ditura burime të policisë së Korçës, akuzohet se ka plagosur shtetasin L.Pallashi, 20 vjeç, për motive të dobëta. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje".


Grindja ka ndodhur në afërsi të banesës të të dëmtuarit kur 35-vjeçari, pas një bisede të zakonshme me të riun, ka shpërthyer në grushta duke përdorur mjete rrethanore. Po kështu, një tjetër plagosje ndodhi në qytetin e Pogradecit, ku tre të rinj nga ky qytet qëlluan një person të ardhur nga Tirana.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›