E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetëm ARMO, naftë D2, shitjen do ta bëjnë kompanitë e shumicës”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Nafta e cilësisë së dorës së dytë D2 e cila prodhohet nga rafineritë shqiptare do të lejohet të tregtohet vetëm gjatë vitit 2009 ka thënë Genc Ruli, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës. Sipas tij, një gjë e tillë bëhet që kompanisë e cila ka privatizuar ARMO-n, t i lihet kohë që të kryejë investimet e duhura në mënyrë që standardet e karburantit që do të prodhohen t u afrohen atyre evropiane dhe të dëmtojnë sa më pak mjedisin. Mbi monopolizimin e tregut të cilësisë Diesel apo D2, ministri Ruli është shprehur se një gjë e tillë është ekzagjeruar, pasi masat që janë marrë nga qeveria dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk e lejojnë që ARMO të jetë tregtuesi i vetëm i këtij lloji nafte dhe gjithashtu edhe çmimi që do të vendoset do të mbikëqyret nga institucionet përkatëse. Akciza për këtë vit do të jetë e njëjtë edhe për karburantin që do të prodhohet në vend. Sipas qeverisë shqiptare, me anë të ndalimit të importit të naftës me përmbajtje të madhe squfuri synohet që të ulet sasia e konsumit në Shqipëri dhe një iniciativë e tillë ka filluar që në 2007-ën. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka shpjeguar arsyet e vendimit që ka marrë qeveria për lejimin e tregtimit gjatë vitit 2009 të asaj që njihet si “nafta D2” e prodhuar në vend nga ARMO.sh.a duke thënë se “qëllimi i masave të ndërmarra nga Qeveria në sektorin dhe tregun e hidrokarbureve gjatë viteve 2007 – 2008, ka qenë përafrimi i legjislacionit dhe kuadrit rregullator të përdorimit të hidrokarbureve në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së dhe ato që janë në proces integrimi. Ato bazohen në legjisacionin tonë për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e konkurrencës së lirë në tregun hidrokarbur, më konkretisht, të gazoilit D2”, - ka thënë ministri Ruli, duke sqaruar se nga 1 janari 2009 është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë, i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 1012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. “Por, përjashtimisht, për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri”, – ka thënë Ruli në conference - “dhe kjo bëhet për arsye se nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit, ka teknologji përpunimi të dobët dhe rafinohet vetëm në Shqipëri. Ta bllokoje përdorimin e saj nga 1 janari, do të thotë të bllokoje të gjithë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, që punëson 6500 punëtorë. Por me investimet e duhura teknologjike (të pakryera deri më sot) dhe që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti ajo mund të përpunohet për të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore. Dhe një vit që është koha e lënë për të kryer këto investime, gjykoj që është një kohë e mjaftueshme, madje, mendoj se do të realizohet edhe më parë”. Ministri Ruli i ka sqaruar gjithashtu gazetarët edhe për ndikimin e masave të marra në tregun hidrokarbur në mbrojtje të mjedisit. Sipas tij, konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë në vit, 340 mijë tonë janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Nga nafta e importuar, vetëm 120 mijë tonë kanë qenë naftë D1 dhe pjesa tjetër, naftë D2, me elementë ndotës. “Vendimi i qeverisë për të nxjerrë nga tregu naftën D2 (me përjashtim të asaj të rafinuar nga ARMO), sjell si rezultat që në vitin 2009 e zbresim përdorimin e naftës D2 në vetëm 80 mijë tonë, çka sjell një impakt të madh në mjedis”. Ruli ka folur edhe për mbrojtjen e konsumatorëve në treg dhe eliminimin e monopoleve: “Eshtë normale të krijohet shqetësimi që me një prodhues të vetëm potencialisht të mund të krijohet situatë monopol në treg, por me masat e marra nga Qeveria dhe Autoriteti i Konkurrencës, do të shmangen këto pasoja. Projektligji që po përgatitet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, parashikon se si ARMO, prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, do të kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra 80 mijë ton naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t i shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli u çmimit të D2 në tregun rajonal”. Në çdo rast, sipas ministrit Ruli, sasia prej rreth 80 mijë ton D2 e ARMO-s përbën vetëm 19 për qind të gazoilit të konsumuar në vend në një vit. Gjithashtu, ndryshe nga një vit më pare, kur nafta e ARMO-s dhe nafta e importuar kishin akciza të ndryshme, vendimi për aplikimin e një akcize të njëjtë në tregun hidrokarbur, garanton barazi në treg. Gjatë konferencës për shtyp, Ministri Ruli theksoi se "situata klimatike nuk ka rënduar situatën energjetike". Ndërkohë që burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) bëjnë të ditur se kjo kompani disponon në rrjet të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike, duke garantuar 24 orë energji pa ndërprerje të konsumatorëve shqiptarë. OSSH ka siguruar sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për 3-mujorin e parë, duke garantuar sasinë e energjisë edhe për mbulimin e humbjeve për importin për këtë 3-mujor, e cila arrin në rreth 600 milionë kilovat/orë.

Vendimi
“Nga 1 janari 2009 është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë, i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 1012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë”
Ky lajm është publikuar: 10/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›