E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli nis "luftën" e re,diplomatike

Autori i Lajmit: red.
Jeruzalem – Grupet e ndihmës humanitare i dhanë një shuplakë Izraelit të enjten lidhur më luftën në Gaza, duke deklaruar se ndërhyrjet e tyre në ndihmë të civilëve janë të vakta. Asistentët e ndihmës humanitare po vriten dhe plagosen, ndërsa neglizhenca e Izraelit në drejtim të detyrimeve për mbrojtjen e palestinezëve në pamundësi për të lëvizur, është e trishtueshme. OKB-ja shpalli pezullimin e operacioneve humanitare, pasi një nga shoferët e saj mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, edhe pse ata udhëtonin me makinat me flamurin e OKB-së, madje ata kishin kordinuar dhe lëvizjet e tyre me forcat izraelite. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, bëri thirrje për hetimin e dytë radhazi brenda dy javësh pas vrasjes së 40 personave në afërsi të një shkolle të organit ndërkombëtar, nga sulmet e tankeve izraelite ditën e martë. Komiteti Ndërkombëtar dhe Kryqi i Kuq raportuan se janë përballur me skena makabre të mërkurën, ku kanë gjetur 4 trupa fëmijësh në gjendje shëndetësore të mjerueshme, në krahë të nënave të tyre të pajeta. Në një deklaratë të ashpër, si kurrë më parë, u konstatua se "trupat militare të Izraelit kishin dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të mbrojtur dhe evakuuar të plagosurit". Zyrtarët izraelitë thanë se ata po ekzaminonin të gjitha pretendimet, dhe se nuk kishin për qëllim të shkaktonin viktima te ndërkombëtarët. Ata do të verifikonin dhe burimin e zjarrit që vrau shoferin e OKB-së dhe plagosi dy punonjës të saj. “Ne do të bëjmë të pamundurën që të shmangim lëndimin e civilëve dhe shumë herë detyrohemi të mos hapim zjarr për shkak të pranisë së tyre", - tha majori Avital Leiboviç, zëdhënësi i ushtrisë izraelite për mediat e huaja. "Gjithashtu, po kryejmë takime të njëpasnjëshme me zyrtarë të OKB që të kordinojmë punët tona. Ngjarjet e fundit ne i mësuam nga raportet e Kryqit të Kuq, dhe që Gjeneva (selia e dytë e OKB-së) nuk ka nxjerrë ende raportin e saj për të provuar këto deklarata". Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit votoi herët të premten një rezolutë, që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm dhe vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në mënyrë që palët të tërhiqen, të negociojnë, të lejojnë ndihmat humanitare për palestinezët dhe të ndalojnë trafikimin e armëve dhe municioneve brenda territorit. Katërmbëdhjetë vende e aprovuan rezolutën, ndërsa SHBA abstenoi. Sipas Sekretares së Shtetit, Kondoleza Rais, kjo votë abstenimi është e sforcuar, pasi kërkon të vlerësojë nëse tentativat negociuese të Presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, do të jenë të suksesshme. "Shtetet e Bashkuara nuk përdorën veton, pasi ato në përgjithësi janë pro pikave të përfshira në rezolutë",- tha Rais. Disa ambasadorë të vendeve arabe shprehën pakënaqësitë e tyre që rezoluta nuk parashikon ndalimin e bllokadës së Izraelit ndaj Gazës, ndërsa disa nga ambasadorët perëndimorë pranojnë se kjo rezolutë nuk të shpie askund. “Ne jemi të ndërgjegjshëm që paqja arrihet në tokë, ndërsa rezoluta është shkruar në OKB", - deklaroi ministri i Jashtëm britanik, David Miliband. Një zëdhënës i Kryqit të Kuq, Anne-Sofi-Bonefeld, deklaroi se pas evakuimit të fëmijëve dhe civilëve të tjerë në Gaza të mërkurën iu desh të linin shumë trupa në rrugë. Të enjten, tha ajo, 100 civilë u evakuan nga një rrethinë e qytetit të Gazës. Ata nuk ishin plagosur, por ishin në gjendje shumë të rëndë pasi kishin dy ditë rresht pa ushqim dhe ujë. Ndërsa lufta hyri në ditën e saj të 14-të, sulmet ajrore izraelite shkatërruan një ndërtesë pesëkatëshe, duke lënë të vrarë të paktën 7 persona, deklaruan zyrtarë të Hamasit për Associated Press. Autoritetet e Gazës thanë se deri tani numri i jetëve të humbura ka arritur në mbi 750, nga të cilët 40% janë fëmijë dhe gra. Izraeli ndali luftimet për herë të dytë radhazi për të respektuar 3 orët e armëpushimit të enjten në mbrëmje. Gjatë kësaj kohe ekipet e ndihmës së shpejtë dhe Kryqit të Kuq gjetën dhjetëra trupa nën rrënojat e një ndërtese të vetme. Dhe vetë Izraeli ka pësuar humbjet e tij, tre ushtarë mbetën të vrarë gjatë luftimeve, ndërsa shtatë të tjerë kanë humbur jetën gjatë gjithë fushatës ushtarake. Këtyre të dhjetëve u shtohen dhe tre civilë të vrarë nga raketat e Hamasit. Izraeli dënoi ashpër deklaratën e një zyrtari të lartë të Vatikanit, i cili e krahasoi Gazën me një "kamp përqëndrimi." "Shikoni kushtet në të cilat ndodhet Gaza, i ngjan gjithnjë e më shumë një kampi të madh përqëndrimi", - tha kardinali Renato Martino. Gjatë një interviste për të përditëshmen italiane “La Repubblica” ai e komentoi gjendjen të "tmerrshme". Yigal Palmor, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite e komentoi kështu këtë deklaratë: "Jemi të befasuar sesi një titullar i fesë përdor fjalë kaq të rënda, të padenja dhe larg së vërtetës". Kreu i operacioneve të Kryqit të Kuq, Antonie Grand, tha se njerëzit e tij kanë punuar nën raketat e Izraelit të enjten. Por një punonjës i shërbimit mjekësor izraelit pohoi se vrasja e shoferit të OKB-së ishte bërë nga një snajper i Hamasit. Kreu i shërbimeve të OKB në Gaza, Xhon King, tha se nuk ishte në dijeni të një fakti të tillë, por edhe nëse kjo ishte e vërtetë atëherë burimi le të konfirmojë lajmin. Kjo është një çështje shumë delikate dhe nuk mund të mbështetemi te një supozim paraprak.
(New York Times)
OKB-ja shpalli pezullimin e operacioneve humanitare pasi një nga shoferët e saj mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, edhe pse ata udhëtonin me makinat me flamurin e OKB-së, madje ata kishin kordinuar dhe lëvizjet e tyre me forcat izraelite.
"Shikoni kushtet në të cilat ndodhet Gaza, i ngjan gjithnjë e më shumë një kampi të madh përqëndrimi", - tha kardinali Renato Martino.
Kreu i operacioneve të Kryqit të Kuq, Antonie Grand, tha se njerëzit e tij kanë punuar nën raketat e Izraelit të enjten.
“ Ne do të bëjmë të pamundurën që të shmangim lëndimin e civilëve dhe shumë herë detyrohemi të mos hapim zjarr për shkak të pranisë së tyre", - tha majori Avital Leiboviç, zëdhënësi i ushtrisë izraelite për mediat e huaja.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›