Maskat profesioniste grabisin kazinonë në orën 4 të mëngjesit
KAVAJË - Maskat janë shfaqur dje në pikë të mëngjesit në një lokal lojërash fati, në qytetin e Kavajës. Nën kërcënimin e kallashnikovëve dhe me fytyra të mbuluara, tre persona kanë krijuar panik në një kazino, ndërsa kanë detyruar punonjësit e lokalit që të dorëzojnë paratë e kasës. Burime të besueshme policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm në kazinonë “Apex”. Shuma e parave të vjedhura arrin në 750 mijë lekë të reja, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar. Burimet konfirmojnë se po vazhdon puna për identifikimin e tre autorëve, të cilët mendohet të jenë profesionistë, pasi nuk kanë lënë asnjë gjurmë që mund të çojë policinë në gjurmimin e tyre. Tre grabitësit kanë pritur një moment të përshtatshëm për të realizuar grabitjen. Brenda në të mësohet të kenë qenë gjithsej shtatë persona, pesë prej të cilëve biznesmenë dhe dy punonjës të lokalit të kumarit. Përveç kësaj, afër zonës në të cilën ndodhet kazinoja në momentin e grabitjes nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe mundësia për ndonjë kontroll rutinë policor ka qenë shumë e vogël. E atëherë kur askush s’e priste ata janë futur brenda, të pajisur me kapuça e maska dhe duke u vënë kallashin në kokë punonjësve, u kanë kërkuar që t’u jepeshin të gjithë lekët që gjendeshin në arkë. Pasi kanë mbushur disa çanta me lekë, kanë pyetur njërin nga klientët për t’u dhënë makinën e tij. Burimet thanë se Erion H. u ka dhënë çelësat e makinës së tij tip “Mercedes Benz”, seria C Class, të cilën e kanë përdorur grabitësit. Pas orë më vonë makina është gjetur e braktisur tek Unaza e qytetit të Lushnjës. Duket se aty më pas autorët kanë përdorur një tjetër makinë, për t’i shpëtuar ikjes nga policia. Por nga të njëjtat burime bëhet e ditur se në funksionim kanë qenë edhe kamerat e sigurisë së kazinosë, të cilat kanë filmuar nga minuta e parë e deri tek fundit grabitjen. “Kemi të gjithë imazhet e grabitjes, por maskimi i tre grabitësve na krijon vështirësi në identifikimin e tyre”, - shprehen burimet. Ndërkohë që përdorimi i dorezave nga ana e tyre ka përjashtuar çdo mundësi për gjetjen e gjurmëve të gishtërinjve. Pasi ata janë larguar, është njoftuar policia e Kavajës, e cila ka marrë në pyetje personat e pranishëm në momentin e vjedhjes. Nga burimet mësohet se ata janë pyetur për dhënien e ndonjë detaji të mundshëm që mund të ndihmojë sadopak policinë drejt zbardhjes së ngjarjes. Por asnjëra prej dëshmive të dhëna nuk ka dhënë ndihmë të nevojshme dhe asnjë i dyshuar nuk është shoqëruar në ambientet e komisariatit.