Maskat, terror në familjen e tregtarit
Tre persona tentuan të grabisin kasafortën në shtëpinë e importuesit të tapeteve dhe konfeksioneve nga Kina dhe Turqia
Autorët në largim e sipër, për të frikësuar të zotët e shtëpisë që të mos i ndiqnin, qëlluan disa herë me armë në ajër
TIRANE- Maskat, terror në shtëpinë e tregtarit në periferi të kryeqytetit në Sauk, të komunës së Farkës, pas dështimit të tentativës për të grabitur banesën e tij. Së paku tre persona të armatosur kanë tentuar të grabisin me armë shtëpinë e tregtarit Astrit Xhabrahimi, 35 vjeç, banues në një vilë dykatëshe pranë segementit të rrugës që të dërgon në lagjen Sauk i Poshtëm. Xhabrahimi mësohet se është një nga tregtarët më të mëdhenj të lidhur me tregjet e eksportit nga Kina dhe Turqia, për tapetet dhe sixhadet që prodhohen në këto vende.
Gjithashtu mësohet se ai njihet edhe për importin e materialeve të konfeksionit nga këto vende duke e bërë atë një nga tregtarët më të mëdhenj në vend në këtë drejtim. Lajmi për tentativën e grabitjes së tij, është bërë i ditur nga burime të "Shekullit" në komisariatin e Policisë nr.1, të cilët pohuan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit duke u gdhirë dita e djeshme. Autorët mësohet se kanë pasur si qëllim grabitjen e një kasaforte me një sasi të konsiderueshme parash që mendohej se tregtari Xhabrahimi mbante në vilën e tij dy katëshe.
Autorët nuk kanë arritur të marrin asnjë qindarkë pasi të zotët e shtëpisë kanë dëgjuar zhurma të zgjuar edhe nga qentë dhe më pas janë ngritur. Sapo janë ndezur dritat e vilës trikatëshe, tre personat e dyshuar që donin të grabisnin vilën e tregtarit të njohur, janë larguar me shpejtësi. Ndërkaq tregtari dhe pjesëtarë të familjes së tij kanë dashur të ndjekin personat e dyshimtë por kur kjo është kuptuar nga njerëzit me maska ata kanë qëlluar me armë në ajër.
Një veprim i tillë mësohet se është kryer nga personat e panjohur me qëllim për të trembur sa do pak të zotët e shtëpisë, për të mos i ndjekur ata nga pas. Menjëherë pas ngjarjes, është lajmëruar policia e kryeqytetit dhe në vilën e tregtarit Xhabrahimi kanë mbërritur një grup ekspertësh hetuesish dhe specialistësh të policisë së kryeqytetit dhe të komisariatit nr.1 për të nisur hetimin dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së mëngjesit të djeshëm në lagjen Sauk i Poshtëm të komunës së Farkës. Policia ka marrë dëshmitë e pjesëtarëve të ndryshëm të familjes të cilët kanë pohuar se kanë qenë duke fjetur, kur kanë dëgjuar zhurma në oborrin e vilës dhe më pas në vilë.
Më tej ata kanë treguar se menjëherë kanë reaguar duke trembur autorët të cilët më pas janë larguar. Pas marrjes së deklarimeve të tregtarit dhe pjesëtarëve të tij të familjes, policia ka shoqëruar disa persona në ambientet e saj për t'i pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit.