Berisha mbaron pushimet, gati për negociata
PR-ja mësohet se ka siguruar postin e ministrit të Mjedisit, ndërsa PDI-ja atë të Punës
Kreu i qeverisë Sali Berisha, u ka dhënë fund dje pushimeve të tij verore dhe sot pritet t'i kthehet sërish punës në krye të ekzekutivit, në mbledhjen e tij të radhës. Burime pranë kreut të qeverisë kanë bërë të ditur se Berisha ka lënë dje pasdite vilën e tij qeveritare në plazhin e Dhërmiut për të mbërritur në mbrëmje në Tiranë. Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, shefi i mazhorancës pritet të nisë ditën e nesërme negociatat për formimin e kabinetit qeveritar, që pritet të votohet pas konstituimit të Kuvendit të ri gjatë muajit shtator.
Negociatat pritet të jenë të vështira jo vetëm me aleatët e tij të rinj dhe të vjetër, por edhe me të tijtë në parti, pasi do t'i duhet të plotësojë ambiciet e ministrave aktualë, por edhe të atyre individëve që kanë hyrë së fundmi në Kuvend. Por, natyrisht "nyja gordiane" që duhet të zgjidhë Berisha është arritja e marrëveshjes konkrete me LSI-në, e cila siç është bërë e ditur do të konsistojë në dy plane: në ndarjen e posteve ministrore dhe në programin qeverisës.
E ndërsa e dyta mund të konsiderohet thjesht një demagogji, e para, pra ajo e ndarjes së portofolave, parashikohet të jetë tepër e vështirë. Kjo pasi pretendimet e LSI-së, nisur nga faktorizimi që i bëjnë numrat e deputetëve që ka në Kuvend, janë tepër të larta. Së fundmi, kjo forcë bëri të ditur se pretendon të marrë sektorin e Shëndetësisë, Arsimit dhe Ekonomisë, megjithëse burime pranë dy aleateve të reja bëjnë të ditur se LSI-ja po synon fort për postin e ministrit të Jashtëm, të cilin kërkon ta drejtë vetë kreu i saj, Ilir Meta.
Nga ana tjetër, PD-ja mësohet se është e gatshme t'i jap LSI-së pa ndonjë rezervë Ministrinë e Integrimit. Ndërkohë, me aleatët e tjerë, PR-në dhe PDI-në, duket se gjërat janë bërë më të thjeshta, pasi mësohet se PD-ja është e gatshme t'u lëshojë republikanëve Ministrinë e Mjedisit, ndërsa partisë së çamëve Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Lëvizje pritet të ndodhin edhe brenda vet radhëve të PD-së, ku disa emra, siç është ai i Bujar Nishanit, Enkeljd Alibeajt, apo edhe Fatos Bejës, të mos përfshihen më në kabinet.