Hoti: Unë, kandidat për kryetar të PS-së
Nikoll Hoti nga Lezha, kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarin e PS-së
Ai pretendon se është i dërguar nga e Majta Europiane dhe mbështetet nga Meidani e Moisiu
Shtohet lista e individëve që kërkojnë të drejtojnë Partinë Socialiste pas muajit shtator, ku dhe pritet të mbahen zgjedhjet sipas parimit "një anëtar një votë". Pas kreut aktual Edi Rama, anëtarëve të kryesisë Ben Blushi dhe Arben Malaj, kjo ambicie e çmendur ka pushtuar edhe një emigrant shqiptar, i cili prej disa muajsh ka lënë jetën e emigrantit në vend të huaj dhe është kthyer në Shqipëri për të marrë, siç thotë ai, drejtimin e Partisë Socialiste dhe për të bashkuar të majtën shqiptare. E quajnë Nikoll Hoti, dhe prej tre ditësh endet në hollin e Partisë Socialiste, në përpjekje për të depozituar kërkesën e tij për t'u regjistruar në garën për kryetar partie.
Por duket se përpjekjet e tij kanë qenë të kota, pasi askush në këtë parti nuk e ka marrë seriozisht, duke tentuar më kot ta përcjellin me "lugën bosh", pasi ai, ditë pas dite, ka ardhur sërish në selinë qendrore të PS-së, duke i vënë shpeshherë në vështirësi drejtuesit e kësaj force. Me kërkesën në dorë, Hoti, i cili pretendon se ka mbaruar dy fakultete dhe se mban gradën "Doktor i Shkencave", ka kërkuar në vazhdimësi takim me kreun e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Por, në vend të Ruçit, me të është marrë anëtari i kryesisë, Namik Dokle, i cili për keqardhje është përpjekur më kot t'i shpjegojë Hotit statutin, sipas të cilit, për kryetar partie mund të kandidojë ai anëtar partie që ka të paktën nja mandat si anëtar Asambleje Kombëtare.
Por Hoti s'ka dashur t'ia dijë për statut, pasi ka nisur t'i rendisë Dokles një sërë vetish dhe arritjesh të tijat në jetë, si fakultetet e bëra, ashtu edhe jetën partiake që e ka nisur në janar të këtij viti. Më pas ka qenë radha e Ruçit për të bindur Hotin që t'i "thërriste mendjes" dhe të kthehej andej nga kishte ardhur, pasi kërkesa e tij nuk ishte në përputhje me statutin e partisë. Por, sipas kandidatit të vetëshpallur, statuti pak rëndësi kishte për të lejuar këtë kandidim përpara referencave dhe mbështetjeve të pretenduara që kishte marrë prej ish-presidentëve Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. Madje, ai i ka bërë të ditur Ruçit se për ndërmarrjen e këtij hapi, pra për drejtimin e Partisë Socialiste, kishte marrë edhe mbështetjen e së Majtës Europiane.
"Mbetem me shpresë se kandidimi im të jetë sa më demokratik, i përkrahur nga e Majta Evropiane dhe e majta shqiptare dhe garantoj bashkimin e së majtës shqiptare, sipas marrëveshjes që kam biseduar me shtyllat kryesore të PS-së dhe mbështetësve të mi, ish-presidentëve të Republikës, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu", - shkruan Nikoll Hoti në kërkesën e vet, të cilën nuk mundi ta depozitojë. Madje, ai pretendon se ka dhe një platformë që synon në nxjerrjen e PS-së nga kjo situatë dhe bashkimin e së majtës. "Kam një platformë dhe program, ku në pikën e parë është bashkimi i së majtës, kam diskutuar me këshilltarë të partive të majta. Të gjithë më mbështesin, si LSI-ja, PSD-ja, me të tjerët nuk kam biseduar. Më kanë thënë se dhe Milo përkrah një figurë të re", - tha Hoti.