E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër të vdekur në Tiranë, dy prej tyre vrasin veten

Katër viktima janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, ku dy prej tyre i kanë dhënë fund jetës në kushte të pashpjegueshme. Ndërsa dy persona të tjerë janë gjetur të vdekur në banesat e tyre dhe mendohet se kanë ndodhur për shkaqe natyrale. Burimet policore bënë të ditur se rasti më i rëndë i përket një vajze 19-vjeçare, e cila i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar, por ende nuk janë sqaruar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar në Komisariatin Nr. 3, kur nga Spitali Ushtarak është njoftuar se ka vdekur Adelina P., 19 vjeçe, banuese në Burrel, me arsim 8 klasë. Nga veprimet e kryera rezulton se shkaku i vdekjes ka qenë vetëhelmimi, ndërkohë që ende nuk dihen motivet. Rasti tjetër i rëndë është shënuar në rrugën "Siri Kodra". Burimet nga Komisariati nr. 4, bënë të ditur se dy ditë më parë rreth orës 15.45, në rrugën e lartpërmendur, te vendi i quajtur ish-frigoriferi, është vetëvarur Dilaver Halil Bomi, 66 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, 66-vjeçari punonte roje i firmës "Metabo" dhe pikërisht nga punëtorët e kësaj firme është gjetur i vetëvarur. Menjëherë është njoftuar urgjenca dhe policia, por ai kishte ndërruar jetë. Policia tha se po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ndërkaq, policia e Tiranës ka shpjeguar se dy ditë më parë rreth orës 16.00, në Qendër-Kamzë, në banesë, është gjetur i vdekur Gurali Rrunga, 62 vjeç. Policia ha se menjëherë trupi u dërgua në morg, ku u kryen veprimet e nevojshme dhe rezultoi se vdekja është natyrale. Gjithashtu, nga shkaqe natyrale ka vdekur edhe Dajlan Xhaferraj, i cili fillimisht është menduar se vdekja e tij kishte ardhur nga dhuna. Por gjatë kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme, ka rezultuar se ai nuk ka shenja dhune dhe se vdekja ishte natyrale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›