Maskilizmi si armë
Para ca ditësh një nga deputetët e Parlamentit shqiptar, në mënyrë aspak dinjitoze për të si politikan, bëri një gjest mashkullor të papëlqyer dhe aspak qytetërues, duke ofenduar me fjalë konotative dhe aluzione të dykuptimta një grua të parlamentit, kolege, deputete. Nuk është hera e parë që shikojmë që edhe meshkujt e Parlamentit tonë në shumë raste të debateve të zakonshme nuk e kanë për gjë që të lëshojnë fjalë me kuptime të tërthorta. Nuk mungojnë batutat dhe shpotitë me ngjyrime maskiliste, që përdoren enkas si mjet për të cenuar identitetin gjinor të grave në media apo në debate parlamentare. Është gjë e vjetër, arkaike që të përdorësh “armën e maskilizmit” në betejën moderne me gratë, është e turpshme që ato të cenohen në identitetin e tyre të brishtë me mjete të tilla që nuk nderojnë askënd, aq më pak politikanët meshkuj, që nuk mund të jenë të tillë nëse kanë tipologji të deformuar në marrëdhëniet politike gjinore. Por kjo situatë e sulmeve me natyrë morale, fizike e biologjizante nuk është vetëm aty, në aulën e demokracisë. Ajo është sipas mendimit tim, një tipar i përgjithshëm në shoqërinë tonë. Në të vërtetë dhuna, forca dhe pushteti maskilist mbi femrën ka patur forcë të pakontrolluar në shoqëri në të kaluarën e largët. Por për fat të keq këto pushtete me natyrë biologjizante kanë ende interferencë dhe forcë sociale ndikuese në shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Nuk është fare në nderin e shoqërisë tonë, që kemi të tilla raporte dhe marrëdhënie të deformuara me gratë. Megjithë se ka një fushatë sensibilizuese gjinore për të rregulluar raportet gjinore, duke nxitur trajtimin e barabartë në politikë, jetën parlamentare dhe në administratë, ende nuk mund të themi se gjërat kanë ndryshuar për mirë, përderisa ka fakte të bujshme të ambicies mashkullore për më shumë pushtet mbi gratë, për më shumë epërsi politike e sociale, për më shumë favore ekonomike dhe favorizime gjinore në karrierë. Shoqëria shqiptare ka të paktën dy “fusha të betejës” gjinore, për të korrigjuar deformimet biologjizante që ndeshen në jetën e përditshme. Së pari ka ardhur koha që të godasim kudo që mundemi idenë primitive të epërsisë së mashkullit në shoqërinë tonë për arsye biologjike. Nuk është normale që ende jemi të familjarizuar me një situatë sociale që gjeneron në mënyrë të natyrshme idenë e deformuar të kuptimit dhe interpretimit mashkullor të shumë problemeve në politikë, ekonomi, kulturë, fe, etj., që krijojnë një situatë që favorizon meshkujt dhe disfavorizon gratë. Por jo vetëm kaq, situata e femrave tona nuk ka për të ndryshuar, nëse problemet do t’i shikojmë në mënyrë të sipërfaqshme, empirike, nga jashtë, më shumë si problem i të tjerëve dhe jo si shqetësimet tona. Nuk ka dyshim që kanë ndodhur disa ndryshime në marrëdhëniet midis burrave dhe grave, që lidhen me natyrën dhe identitetin e tyre seksual. Por ky nuk është argument për të mbajtur në këmbë një ideologji maskiliste barbare. Sociologët kanë të drejtë dhe më duket se e ndihmojnë betejën e shoqërisë dhe grave tona, kur thonë se prirja e burrave për pushtet, dhunë, epërsi, etj., nuk është e lidhur aq me identitetin seksualisht të ndryshëm, sesa me faktorin shoqëror. Jo komponenti seksual, por ai social është determinant në situatën aktuale të grave në shoqërinë tonë. Nuk janë ndryshimet natyrore por ato sociale që favorizojnë burrat. Ndaj duhen ndryshuar ato që të ndryshojë mentaliteti maskilist, raporti tradicionalisht i deformuar midis burrave dhe grave tona…