E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në lokalin e nënkryetarit të Këshillit bashkiak, 4 të plagosur

Fushë-Krujë- Katër persona kanë mbetur të plagosur nga përdorimi i armëve të zjarrit në lokalin, pronë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Fushë Krujës. Pas një sherri për motive banale, mes tij dhe një grupi djemsh, situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve, ku si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur; nënkryetari i këshillit bashkiak, Astrit Baku, 30-vjeç, gruaja e tij, Anila, një nga djemtë e përfshirë në sherr, Haxhi Caca, 24-vjeç dhe fëmijë 12-vjeç me inicialet F.K, që ka qenë në vendin e ngjarjes.

Fillimisht u fol për një atentat, por në fakt, pas hetimeve të para policia arriti në përfundimin se gjithcka ishte pasojë e një debati që nuk përfundoi mirë.

Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore, kurse policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po bën ekspertizën për të përcaktuar saktësisht si ka ndodhur ngjarja.

Nuk dihet nëse edhe nënkryetari i këhsillit bashkiak, me profesion mësues anglishteje në fshatin Derven ka qëlluar me armë apo jo. Ajo që dihet me siguri është që një nga autorët e të shtënave, ka mbetur edhe vetë i plagosur.

“Po punohet për të bërë kronoligjinë e ngjarjes”- thonë burimet policore, nga vendi ku ndodhi përplasja me armë.

Sipas të njëjtit burim është identifikuar edhe autori tjetër i të shtënave, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pasi është shpallur në kërkim. Aktualisht policia po bën një krehje të zonës në fshatrat Nikël dhe Larushk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›