E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri nuk i njihte fëmijën, e braktis në spital

Burrel- Bashkëshorti nuk i njihte foshnjën si fëmijën e vet dhe gruaja vendos ta braktisë. Ngjarja ndodhi në Burrel, ku një bebe 4 muajshe u la në dyert e spitalit të këtij qyteti.

Sipas burimeve policore, ka qenë një grua e re e martuar në fshatin Macukull, e cila ka dërguar fëmijën e saj (vajzë 4 muajshe) në shtëpinë e djalit, duke iu shprehur pjesëtarëve të familjes së burrit se nuk mund ta mbante foshnjën, pasi djali i tyre i ishte shprehur se nuk e njihte foshnjën për të tijën.

Nëna e foshnjës kishte disa kohë që banonte tek familja e saj në një fshat tjetër të Matit, ndërsa ishte martuar para 16 muajve me djalin nga Macukulli. Sipas burimeve policore martesa e saj është bërë pa celebrim dhe prej ditës së martesës nuk është kryer një formalitet i tillë i rëndësishëm në lidhjen e një çifti të sapomartuarish.

Gruaja e re ka jetuar në vendlindje thuajse qëkur është martuar, ndërsa burri i saj në Greqi ku dhe punonte. Ndërkohë që ka lindur në maternitetin e Burrelit para katër muajsh, e dërguar në spital nga i shoqi. Por pikërisht pas katër muajsh, sipas dëshmisë së nënës së foshnjës në polici, ai ka kundërshtuar të mbajë foshnjën, duke u shprehur se nuk ishte e tij.

Ka qenë kjo arsyeja që nëna e fëmijës e ka dërguar foshnjën në derën e prindërve të të shoqit, deri sa policia e ka dërguar në spitalin e Burrelit. Më pas policia ka bërë shoqërimin e të ëmës së foshnjës, si dhe ka kontaktuar në telefon prindin tjetër, të cilit i ka bërë të ditur se duhej të kryente analizën e AND-së për të pranuar apo hedhur poshtë pretendimin e tij.

Duket se shtrëngimi që ka bërë policia për të dy prindërit ka sjellë dhe reagimin pozitiv në orët e pasadites së sotme për të dy prindërit. Por fëmija gjendet ende prej dy ditësh në spitalin e Burrelit nën kujdesin e bluzave të bardha, të cilat u shprehën se foshnja katërmuajshe gëzon shëndet të mire dhe janë në pritje të marrjes së saj nga prindërit e ligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›