E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do ta ketë edhe Maqedonia Obamën e vet?

Përfaqësuesi i një pakice racore, fetare, etnike e gjuhësore në Amerikë, mund të bëhet edhe President. Zgjedhja në këtë post e Barak Obamës prishi të gjitha skemat false të mbingarkesës paragjykuese për "ata që s‘janë tanët". Rruga e gjatë dhe e mundimshme e popullit amerikan për të arritur në këtë stad zhvillimi nuk ka qenë e lehtë dhe pa sfida. Por, prodhimi final i këtij mundi historik nuk është vetëm zgjedhja e një afro-amerikani për President. Ky prodhim shkon përtej formulave pseudo-politike-sociologjike të skribomanëve këndej Atlantikut, të cilët e kishin torturuar njerëzimin me mendësinë e dominimit të tezave përjashtuese në konkurrencën normale politike.

Përjashtimet eventuale në rastin e zgjedhjes së Obamës për President të SHBA, ishin përkundrazi, përparësia e harmonisë së sensit ndryshues të vetë popullit amerikan, por edhe të luftës së vazhdueshme historike të afro-amerikanëve për t‘u përfshirë dinjitetshëm në kontekstin shoqëror, ekonomik e kulturor të Amerikës.

Baballarët e krijimit të shtetit amerikan, kush më kush e kush më pak, kishin kontribuuar që atdheu i tyre, nga shekulli në shekull, të jetë kornizë e mjaftueshme e idealeve për barazi, tolerancë dhe prosperitet. Brenda kësaj kornize, sot, ne e shohim pikturën e një burri, i cili bashkëdyzon për mrekulli dihotominë e lirisë së zgjedhjes me zhdukjen e kompleksit të inferioritetit të pakicës. Barak Obama është në fillim të një rrugëtimi të gjatë dhe varësisht nga dinamika dhe kualiteti i këtij rrugëtimi do të trajektohen pastaj edhe shumë koordinata, të cilat do t‘i japin Amerikës një dimension të ri në skenën ndërkombëtare. Ballafaqimi me krizën aktuale financiare, angazhimi në Irak e Afganistan, raportet me Evropën dhe Rusinë, do të jenë vetëm disa nga provat që do ta bëjnë Obamën të qëndrueshëm ndaj pritjeve për ndryshime rrënjësore.

Por, Obama, si edhe gjithë presidentët pararendës amerikanë, në vetvete nuk përmbajnë vetëm rëndësinë lokale (vendore), por edhe ndërkombëtare. Popujt me liri të munguara, gjithkund në botë, edhe këtu në Ballkan, kanë mbështetur tek Amerika shpresat për një të ardhme më të lumtur. Rasti më i freskët është Kosova, e cila asnjëherë nuk do të mund të lirohej nga zgjedha serbe dhe të bëhet shtet, pa kontributin kolosal të popullit amerikan dhe udhëheqjes largpamëse të këtij vendi.

Pro-amerikanizmi i shqiptarëve në Ballkan ka kohë që është bërë një filozofi dhe mendësi. Të kthyer kah Perëndimi dhe të lutur për gjithë atë kontribut të Amerikës në prishjen e skemave të pabarazisë, shqiptarët me të drejtë presin që një ditë edhe ata të kenë Presidentin e tyre në Maqedoni. Nëse mundet në Amerikë të zgjidhet një afro-amerikan President i vendit, pse nuk do të mundet të zgjidhet një shqiptar në Maqedoni, ndonëse politika, që po prodhon antagonizma të shumtë këtu te ne, do ta ketë vështirë të zotërojë modelin amerikan të tejkalimit të paragjykimeve. Vështirësia buron sidomos në dilemën e politikë-bërësve të këtushëm, të cilët mospasjen kapacitet për t‘i zgjidhur problemet brenda dhe jashtë, inskenojnë barriera të reja për të pamundësuar konkurrencën e lirë politike, ekonomike e kulturore.

Obama i ri Maqedonisë nuk duket asgjëkund në horizont, por lufta për ta sjellë atë brenda kornizave të së mundshmes është reale dhe legjitime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›